Kreditë me probleme bien, por shpenzimet e sektorit bankar për humbjet nga huatë arrijë rekord
Shpenzimet e sektorit bankar për fondin rezervë të kredive me probleme janë në rritje këtë vit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e provigjioneve për kreditë për 6-mujorin 2026 arriti vlerën e 4.05 miliardë lekëve, në rritje me 65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet për provigjione në mesin e vitit kanë arritur gjithashtu vlerën më të lartë në periudhën pas pandemisë.
Rritja e shpenzimeve për provigjione nënkupton pritshmëri për humbje më të mëdha nga kreditë e pakthyera. Kjo rritje është e lidhur direkt me stokun e kredive me probleme dhe me shpërndarjen e këtij stoku sipas klasave.
Sipas kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë, bankat duhet të llogarisin fonde rezervë për humbjet nga kreditë mbështetur në rrezikun e vlerësuar kryesisht mbi kohën e mosshlyerjes së pagesave të planifikuara nga huamarrësi.
Përqindja e provigjioneve rritet gradualisht në varësi të kohës së mospagesës dhe arrin deri në 100% për kreditë e papaguara prej një viti, të cilat klasifikohen teknikisht si të humbura.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 3.7%. Ky raport ka pësuar një rënie të vogël krahasuar me nivelin prej 3.8% të fillimit të vitit, ndërkohë që është gjithashtu në rënie krahasuar me nivelin prej 4% të mesit të vitit të kaluar.
Ndërkohë, stoku i kredive me probleme ka arritur në afërsisht 36.7 miliardë lekë, rreth 1 miliard lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Përveçse rritjes së stokut të kredive me probleme, rritja e provigjioneve mund të shpjegohet me rritjen e peshës së kredive që kanë kohë më të gjatë vonese në shlyerje dhe rrjedhimisht masë më të madhe provigjionimi, si kreditë e dyshimta dhe ato të humbura.
Rritja e shpejtë e kredisë, sidomos në tre vitet e fundit, ka rritur shqetësimin e bankës së Shqipërisë për cilësinë e portofolit. Që prej mesit të vitit të kaluar, Banka Qendrore vendosi aplikimin e disa masave kufizuese në parametrat e administirmit të rrezikut te kredia për blerjen e banesave nga individët.
Provigjionet janë një nga zërat kryesorë të shpenzimeve për bankat tregtare. Rritje e tyre ndikon direkt në ecurinë e rezultatit financiar të sektorit.
Për 6-mujorin 2026, fitimi neto i sektorit bankar kishte vlerën e 14.4 miliardë lekëve, në rënie me afërsisht 20% krahasuar me një vit më parë. Një nga faktorët që ka sjellë uljen e fitimit të sektorit bankar ka qenë pikërisht rritja e shpenzimeve për provigjione, paralelisht me ngadalësimin e rritjes së të ardhurave nga interesat dhe me rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve të personelit dhe të shpenzimeve të tjera të veprimtarisë.