Temperaturat e larta, thyhet rekordi i konsumit ditor të energjisë elektrike
Konsumi i energjisë elektrike në vend arriti rekord të ri këtë verë, me rreth 27,809 MWh më 12 gusht 2026.
Konsumi i energjisë elektrike në vendin tonë ka shënuar një rekord të ri gjatë këtij sezoni veror, duke arritur në rreth 27,809 MWh më 12 gusht 2026, bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministri, niveli i konsumit të regjistruar më 12 gusht është rreth 5% më i lartë se rekordi i mëparshëm, i shënuar më 13 gusht 2025.
Ndërkohë, mesatarja ditore e konsumit për periudhën 1–12 gusht 2026 ka arritur në 25,787 MWh, rreth 22% më e lartë krahasuar me mesataren e konsumit gjatë gushtit të vitit 2025.
Korriku dhe gushti i këtij viti kanë shënuar gjithashtu nivelet më të larta të konsumit, përkatësisht me 26,488 MWh dhe 27,809 MWh.
Rritja rekord e konsumit po shoqërohet me situata të vështira në terren, për shkak edhe të zjarreve pranë nënstacioneve dhe linjave të transmetimit.
Përballë kërkesës së lartë për energji, ekipet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) vijojnë punën për garantimin e sigurisë së rrjetit dhe vijimësinë e furnizimit me energji elektrike.