Secondary Adv

Zbritja për fëmijët dhe arsimin, Tatimet rimbursojnë 6.4 mln euro

Administrata Tatimore vijon procesin e rimbursimit të tatimit të mbipaguar dhe të zbritjeve për fëmijët e shpenzimet arsimore, me një vlerë të përgjithshme prej 6.4 milionë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar, nga procesi përfitojnë 39,940 individë që kanë dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2025.


Rimbursimi lidhet me zbritjen nga baza tatimore prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim nën moshën 18 vjeç, si dhe me njohjen e shpenzimeve arsimore deri në kufirin maksimal prej 100 mijë lekësh. Këto përfitime vlejnë për prindërit ose kujdestarët ligjorë me të ardhura të tatueshme vjetore deri në 1.2 milionë lekë.


Megjithatë, pagesa nuk kryhet automatikisht për çdo deklarues. DIVA 2025 duhet të rezultojë me tepricë kreditore, ndërsa individi duhet të paraqesë kërkesën për rimbursim nëpërmjet llogarisë personale në e-Filing. Kërkesës i bashkëlidhen të dhënat e llogarisë bankare, certifikata familjare dhe dokumentacioni që provon shpenzimet arsimore.


Administrata Tatimore sqaron se shpenzimet për arsimin nuk njihen nëse qytetari nuk ka ruajtur faturat tatimore, kontratat me institucionet arsimore ose dokumente të tjera pagese. Kërkesa mund të refuzohet edhe kur deklarata nuk rezulton me mbipagesë, dokumentacioni është i paplotë apo i pasaktë ose shpenzimet nuk janë deklaruar në DIVA.


Kush përfiton rimbursim?


Përgjigje: Çdo individ që ka plotësuar në DIVA 2025:


a.Rubrikën përkatëse për numrin e fëmijëve në ngarkim


b.Rubrikat përkatëse për shpenzimet arsimore.


Ky rimbursim përfitohet nga prindërit/kujdestarët ligjore që kanë të ardhura të tatueshme vjetore deri në 1.2 milion lekë.


*Kujdes, që rimbursimi të kryhet duhet që DIVA 2025 të rezultojë me tepricë kreditore.


Si përfitohet rimbursimi?


Përgjigje: Individi përfiton zbritje nga baza tatimore, konkretisht për:


-Çdo fëmijë në ngarkim, nën 18 vjeç, përfiton tatim korrespondues për shumën e zbritur prej 48 000 lekësh;


-Shpenzimet arsimore për fëmijët në ngarkim, deri në vlerën maksimale prej 100,000 lekësh;


Si të aplikohet për t’u rimbursuar?


Përgjigje: Nëpërmjet dorëzimit të deklaratës DIVA 2025 në llogarinë personale në e-Filing, kur deklarata rezulton me mbipagesë.


Krijo çështje si kërkesë për rimbursim në modulin Çështjet e mia, Pyetje e Përgjithshme, në të cilën bashkëlidh:


a.Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare;


b.Çertifikatën familjare;


c.Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve: Kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentat e pagesës (faturat) për fëmijët, dokumentat (faturat) për fëmijët, dokumentat (faturat) për pagesën e gjuhëve të huaja etj.


Çfarë ndodh nëse nuk janë ruajtur faturat?


Përgjigje: Në mungesë të dokumentacionit justifikues (fatura tatimore, kontrata), shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim.


Rekomandohet që çdo pagesë për arsim të kryhet në mënyrë të dokumentuar.


Kur mund të refuzohet kërkesa për rimbursim?


Përgjigje: Kërkesa mund të refuzohet në rastet kur:


-DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë;


-Dokumentacioni është i paplotë ose i pasaktë;


-Shpenzimet nuk janë të ligjshme ose nuk janë deklaruar në DIVA.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat