Qytetaret drejt fajdeve, 85 per qind e bizneseve sa duan me kredi
29% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar, ndërkohë që aftësitë e tyre paguese janë përkeqësuar gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Të dhënat janë rezultat i një sondazhi të kryer nga Banka e Shqipërisë, në një kampion përfaqësues prej 2010 familjesh të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur rreth 90% e familjeve të intervistuara.
Ajo që bie në sy nga vrojtimi është rënia për këtë gjashtëmujor me 4% e numrit të personave të cilët përfitojnë para në një familje, ndërkohë që për t'u theksuar është gjithashtu se 60% e huave merren në forme informale, pra në të afërm e të njohur dhe jo nëpër banka.
"Nga vrojtimi i familjeve rezulton një rënie me 4% e numrit të anëtarëve që sigurojnë të ardhura, krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe një vit më parë. Në totalin e të ardhurave, peshën më të lartë e kanë zërat "vetëpunësim" ( 27%), "pension" (26%) dhe "punësim në sektorin privat" (25%). Pesha e të punësuarve në "sektorin shtetëror" (10%) është zvogëluar, ndërsa pesha e "emigracionit" si burim të ardhurash ka mbetur e pandryshuar në 5%.
Në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të të ardhurave, ka vijuar tendenca e rënies së peshës së familjeve në nivelet ekstreme të të ardhurave (të sipërm ose të poshtëm) dhe përqendrimit rreth nivelit mesatar ose nënmesatar", theksohet në Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, ku është publikuar edhe vrojtimi mbi familjet. Bizneset
Bizneset e shohin marrëdhënien me bankat si shumë të rëndësishme, por përkundër kësaj, shumica pranon se ka në plan të marrë ndonjë kredi në muajt e ardhshëm. Në raportin e Stabilitetit Financiar të 6-mujorit të parë të këtij viti reflektohet edhe kjo tendencë, e cila, siç duket, ka si arsye interesat e larta. I njëjti raport tregon se borxhi informal te qytetarët është rritur, por të paktën është ulur ai borxh që merret për konsum, pra për të siguruar jetesën. Në vrojtimin e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë rezulton që shumica e bizneseve kanë një kredi për t’u paguar. “Te ndërmarrjet aktive të këtij vrojtimi, 53.6% (ose 49.1% e kampionit total, gjithsej 347 ndërmarrje) pohojnë që aktualisht kanë një hua për të paguar, në rënie me 5.2 pikë përqindje në terma gjashtëmujorë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Nga vrojtimi rezulton që mbi 70 për qind e bizneseve kanë marrë një hua në 5 vitet e fundit, kurse mbi 71 për qind raportojnë se duhet ta shlyejnë këtë hua brenda 5 viteve të ardhshëm.