Mirembajtja e rrugeve, Geci fiton garen edhe per Shqiperine e mesme, Salillari merr Jugun
Pasi ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve në Rajonin e Veriut, konsorciumi Biolap-Geci ka fituar edhe (kontratën B) që përfshin mirëmbajtjen me performancë të rrugëve në Rajonin e Shqipërisë së mesme që përfshin qarkun e Tiranës dhe atë të Dibrës, kundrejt vlerës 19.2 milionë euro për një periudhë 5 vjeçare.
Ndërsa kompania Salillari e cila është në konsorcium me një kompani greke, Elika ATEE, ka fituar garën për mirëmbajtjen e rrugëve në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës për pesë vitet në vijim kundrejt shumës 16.5 milionë euro.Kështu kompania e ndërtimit të rrugëve, GECI ka siguruar një kontratë me vlerë rreth 41 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në gjysmën e territorit të vendit.
Banka Botërore si asistuesja kryesore për projektin e mirëmbajtjes së rrugëve qysh vitin e kaluar ka iniciuar një plan për realizimin e kontratave afatgjata të mirëmbajtjes. Për llogari të këtij projekti, vendi është ndarë në katër rajone, teksa fituesit janë shpallur për tre rajone dhe është në proces edhe kontrata e mirëmbajtjes së rrugëve për qarkun e Fierit, Elbasanit dhe Korçës.
Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria.Kompanitë shqiptare të rrugëve vitit e fundit kanë parë rënie të aktivitetit për shkak të tkurrjes së fondeve nga investimet publike në krahasim me para 2013.Në këtë situatë shumë prej tyre i janë drejtuar ndërtimit dhe zhvillimit të HEC-ve të vogla.