Secondary Adv

Ja bizneset e medha, qe shiten e blene aksione ne 2016-n, rriten transaksionet

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë publike të dhënat mbi kompanitë që kanë shitur e blerë aksione gjatë vitit 2016. Gjatë vitit 2016, u shqyrtuan në total 21 praktika përqendrimesh, nga të cilat u autorizuan 12 raste lidhur me përftimin e kontrollit, bashkimin e ndërmarrjeve apo krijimin e një ndërmarrje të re, 1 rast i paautorizuar dhe 8 raste vlerësime ligjore. 

 

Gjatë vitit 2016, është vënë re rritja e numrit të njoftimeve të përqendrimeve pranë AK-së. Ky ndryshim, vjen si pasojë e dinamikave në tregun e brendshëm si dhe te transaksioneve mes kompanive të huaja (foreign to foreign company), të cilat kanë xhiro në tregun e brendshëm dhe për pasojë, klasifikohen si transaksione të cilat duhet të njoftohen pranë AK-së.Autoriteti shqyrton rastet e përqendrimeve në rastet kur xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku, në tregun ndërkombëtar, është më shumë se 7 miliardë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrje pjesëmarrëse në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë;  xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun e brendshëm është më shumë se 400 milionë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë”.Në shkurt 2016 AK autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë SABMiller Plc. nga shoqëria Anheuser Busch InBev. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i prodhimit, shitjes  dhe shpërndarjes së birrës.


Po në shkurt 2016 u autorizua përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë E.H.Ë.  SHPK. nga një ortak i vetëm. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i prodhimit dhe përpunimit të mishit (sallameri dhe proshuta) për konsum për njerëzit, si dhe tregtimi i tyre.
Transaksioni më i madh ishte përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të plotë indirekt nga shoqëria Geo-Jade Petroleum Corporation të shoqërisë Bankers Petroleum Ltd., nëpërmjet shoqërisë 1958082 Alberta Ltd. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i kërkimit, zhvillimit, prodhimit, të naftës dhe gazit natyror, tregtimit dhe eksportit të produkteve të naftës dhe gazit.Në maj u miratua përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë “Tirana International Airport” SHPK nga shoqëria Keen Dynamics Limited. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i shërbimeve të infrastrukturës aeroportuale, që i ofrohen linjave ajrore dhe shërbimet e asistencës në tokë.


Në 22.06.2015 u autorizua përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit nga shoqëria Asahi Group Holdings Ltd, të biznesit të birrës të zotëruar nga SABMiller Plc. Treg përkatës në këtë transaksion, u konsiderua tregu i prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së birrës.
Vendimi nr. 422, datë 22.06.2016, autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të  kontrollit të shoqërisë Veneto Banca s.p.a. nga shoqëria Quaestio Capital Management SGR s.p.a, nëpërmjet fondit Atlante. Treg përkatës në këtë transaksion, u konsiderua tregu i shërbimeve bankare për individë dhe i shërbimeve bankare për korporata.


Në korrik u realizua përqendrimi nëpërmjet përftimit të kontrollit të tërthortë të shoqërisë A4 Holding s.p.a. nga shoqëria Albertis Infraestructuras s.a. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i ndërtimeve në infrastrukturë.Vendimi nr. 426, datë 20.07.2016 autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Insig ShA nga shoqëria Eurosig ShA. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i sigurimit të jetës dhe jo jetës.

 

Në korrik Novamatic Gaming Industries GmbH, bleu 100% të kapitalit të shoqërisë Albanisch Osterreichische Holding Gesellschaft m.b.h. Treg përkatës në këtë transaksionin u konsiderua tregu i lojërave të lotarisë (Lotaria Kombëtare).Në shtator u autorizua përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit nga shoqëria Eurokontakt SHPK., të 100% të kapitalit të shoqërisë Lion Real Estate Albania SHPK. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i pasurive të paluajtshme, pra zotërimi, mirëmbajtja dhe qiradhënia e pasurive të paluajtshme.

 

Në shtator u miratua përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit nga shoqëria GMBF Investment S.a.r.l., të shoqërive NV Biscuits Delacre SA dhe United Biscuits Industries SAS, nëpërmjet blerjes së 100% të aksioneve. Treg përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i prodhimit dhe shitjes së ëmbëlsirave prej çokollate, tregu i prodhimit dhe shitjes së ëmbëlsirave në formë kremi, tregu i prodhimit dhe shitjes së ëmbëlsirave me përmbajtje qumështi dhe tregu i prodhimit dhe shitjes së biskotave.


Në dhjetor u autorizua përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit nga shoqëria Fondi Besa SHA, të shoqërisë VisionFund Albania SHPK. Treg përkatës në këtë transaksion, u konsiderua tregu i kredisë dhe mikrokredisë të ofruar nga SFJB-të.I vetmi transaksion që nuk u miratua nga konkurrenca është ai i datës 4 shkurt 2016, nga shoqëria Continental Oil & Gas LLC me objekt: përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Stream Oil & Gas Ltd (dhe në mënyrë të tërthortë të TransAtlantic Albania Ltd.) nga shoqëria Continental Oil & GasLLC.Treg përkatës në këtë transaksionin u konsiderua tregu i kërkimit, zbulimit dhe prodhimit të gazit natyror dhe naftës. Gjithsesi, kompanisë i është hequr leja koncensionare nga ana e shoqërisë Albpetrol.


Raste të tjera transaksionesh, por që nuk kanë qenë objekt autorizimi nga Konkurrenca ishin:
Kontrolli nga shoqëria  ABCom Sh.p.k i shoqërisë së  re, LushiCa TV SHPK.  Në rastin konkret, Shoqëria LushiCa TV SHPK u krijua në mënyrë të përkohshme për një vit dhe vetëm, me qëllim transferimin e aseteve nga Shitësi tek Shoqëria ABCom SHPK.  Për më tepër, të gjitha veprimet e krijimit të LushiCa TV SHPK dhe transferimi i aseteve të saj tek ABCom SHPK, ndodhën pothuajse njëkohësisht dhe për pasojë, nuk rezultuan në ndonjë ndryshim në strukturën e tregut përkatës.Shoqëria Interlogistic Sh.p.k, e cila ishte pjesë e Grupit të Marketing & Distribution, ka qenë objekt i “Kontratës së Shitblerjes, nr. 2925 Rep dhe nr. 217 Kol, më datë 15.12.2015, me objekttransferimin e 100% të kuotave të shoqërisë nga ortaku i vetëm Znj. Majlinda Hido tek individi z. Edmond Hido.  Ky transaksion i ndodhur ndërmjet pjesëtarëve të një familje nuk shkaktoi ndryshim cilësor në kontrollin e shoqërisë Interlogistic Sh.p.k.
Në prill, AK u njoftua për transaksionin e  krijimit të  shoqërisë së re Regjistri Shqiptar i Titujve  Alreg SHA,  ku Banka Credins SHA është aksionere me 95% të aksioneve.

 

Bazuar në vendimin e Asamblesë së Aksionerëve, me nr. 6, datë 29.06.2015 në lidhje me projektin “Tregu i Titujve OTEAmtf’, si dhe në vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm me nr. 13584, datë 16.03.2016, “Banka Credins” SHA do të krijojë për herë të  parë një shoqëri aksionere, e cila do të ofrojë shërbimet e kleringut dhe shlyerjes së transaksioneve në tituj. Ndërmarrja e krijuar rishtazi, ku Banka Credins do të zotërojë  95% të aksioneve, ka marrë edhe miratimin paraprak nga AMF me vendimin nr. 133, datë 26.11.2015, quhet Regjistri Shqiptar i Titujve, ALREG SHA. Nga vlerësimi paraprak i dosjes, rezultoi se transaksioni i krijimit të një shoqërie të re Alreg SHA nga Banka Credins SHA dhe një personi fizik, nuk përmbushte kushtin për të qenë një Joint Venture, pasi nuk plotësoi kushtin sipas së cilit një ndërmarrje e re, duhet të krijohet nga disa ndërmarrje-mëma me të drejta dhe kontroll të përbashkët dhe të barabartë mbi të, nuk përbën një përqendrim pasi nuk plotëson kushtin e nenit 10 pika 3) të Ligjit nr. 9121/2003 dhe për pasojë, nuk është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

 

Ndryshimi i strukturës së zotërimit të kapitalit të Keen Dynamics Limited, blerësi i Tirana International Airport . Në  datë 21 korrik 2016, AK u njoftua në lidhje me ndryshimin e strukturës së zotërimit të kapitalit të Keen Dynamics Limited, blerësi i Tirana International Airport.Shoqëria FAL dhe nëpërmjet saj edhe shoqëria CEL, kanë aktualisht kontrollin maxhoritar dhe vendimtar në shoqërinë shqiptare Tirana International Airport Sh.p.k. Pas realizmit të transaksionit të pritshëm ndërmjet ortakëve fundorë të shoqërisë Keen Dynamics Ltd, CEL dhe FPAM, në lidhje me 25% të kuotave të zotëruara nga CASIL tek Keen Dynamics Ltd, shoqëria CEL (nëpërmjet FAL) do të bëhet pronare e ligjshme e 100% të kapitalit të shoqërisë Keen Dynamics Ltd, duke marrë kështu kontrollin e vetëm ekskluziv në këtë të fundit.

 

Operacioni i përftimit të kontrollit të plotë dhe të vetëm indirekt, nga shoqëria CEL i shoqërisë Keen Dynamics Ltd, me anë të përftimit 25% të kapitalit në këtë të fundit, nuk shkakton një ndryshim cilësor të kontrollit në shoqërinë Keen Dynamics Ltd dhe për pasojë, nuk përbën një përqëndrim në kuptim të  nenit 10 pika 1, shkronja b) të ligjit nr. 9121/2003.    Transaksioni i njoftuar nuk përbënte një përqendrim, pasi nuk plotësonte kushtin e nenit 10, të ligjit nr. 9121/2003 dhe për pasojë, nuk është objekt për dhënien e autorizimit nga Komisioni Konkurrencës, në bazë të nenit 56, të ligjit nr. 9121/2003.

 

Mbi ndryshimin e emrit të rrjetit të supermarketeve “Carrefour” në “InterSpar”. Nga vëzhgimet në terren si dhe nga konsultimet me shtypin e shkruar, rezultoi se  rrjeti i supermarketeve nën emrin tregtar “Carrefour”, ka ndryshuar emërtim në “Interspar”.  Nga ekstrakti historik i shoqërisë Spar Albania SHPK rezultoi se: rrjeti i supermarketeve  “Interspar” administrohej nga shoqëria Spar Albania SHPK, e cila kishte ndryshuar emërtim nga Almark SHPK, në Spar Albania SHPK, në 11 gusht 2016. Aksioner i vetëm, 100% i shoqërisë Spar Albania SHPK, ishte Grupi Balfin. Shoqëria shfrytëzonte të gjithë rrjetin e supermarketeve që i përkisnin shoqërisë CM Balkans SHPK, nën markën Carrefour.

 

CM Balkans, e cila tashmë ka ndryshuar emrin në “Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit” është tërhequr nga shitja e produkteve në supermarketet Carrefour që në prill 2015, për shkak të borxheve të mëdha të akumuluara. Që prej prillit 2015, rrjeti i supermarketeve ishte administruar nga shoqëria Almark SHPK, sot Spar Albania SHPK.  Nga ekstraktet e dy shoqërive nuk rezultoi asnjë tjetërsim kuotash ndërmjet dy shoqërive të sipërpërmendura, në lidhje me aktivitetin e tregtimit të produkteve ushqimore me pakicë.   Për sa më sipër, nuk rezultoi asnjë ndryshim kontrolli në shoqërinë Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit.   Rrjeti i supermarketeve Carrefour tashmë administrohet nga shoqëria Spar Albania SHPK nën markën “Interspar”.

 

Petroleum Consulting Partners A.G. – GFI Albania SHPK. Autoriteti i Konkurrencës në bazë të njoftimeve nga media dhe pas verifikimit të informacionit  në Qendrën Kombëtare të Regjistrimin(Biznesit) mbi transaksionin e përftimit të 99.9%, të kapitalit të regjistruar të shoqërisë GFI Albania SHPK nga Global Fluids International S.A, tek Petroleum Consulting Partners A.G., i realizuar më datë 01.09.2015, filloi procedurën e kontrollit të përqendrimit.

 

Sipas neneve 10 dhe 12, të Ligjit nr. 9121/2003, çdo përqendrim i realizuar duhet të marrë autorizimin e Komisionit të Konkurrencës, në rastet e plotësimit të kritereve lidhur me ndryshimin e qëndrueshëm të kontrollit dhe kufirit të xhirove të realizuara në tregun e brendshëm dhe tregun ndërkombëtar.Me shkresën nr. 467 Prot., datë 14.12.2015 u njoftua shoqëria GFI Albania SHPK, në lidhje me detyrimin për njoftim të përqendrimit, si pasojë e transaksionit të ndodhur me anë të përftimit të 99.9% të kapitalit të regjistruar të shoqërisë GFI Albania Sh.p.k nga Global Fluids International S.A tek Petroleum Consulting Partners A.G., i realizuar më datë 01.09.2015.


Më të lexuarat