
Shpronesimet ne zonat strategjike, dyfishohet fondi per shpronesimet ne Skele- Uji i Ftohte
Pronarët e pasurive së paluajtshme, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Skelë - Uji i Ftohtë do të shpronësohen me 2- fishin e vlerës të përcaktuar më parë me një vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa vendimi mban numër 130, e i përket datës 21 maj 2014.
Ditën e mërkurë Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë dëmshpërblimin për pronarët e tokave nga ku do të kalojë segmenti rrugor i mësipërm. Vlera e përgjithshme e shpronësimit arrin rreth 443 milionë lekë, ndërsa fondi i mëparshëm ishte rreth 225 milionë lekë. Fondi prej 225 milionë lekësh, do të mbulohet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, planifikuar në buxhetin e vitit 2014, për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Vlera e shtuar e dëmshpërblimit, me rreth 217 milionë lekë, do të mbulohet nga fondet e miratuara për investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Shpenzimet procedurale të shpronësimit kanë po të njëjtën vlerë, rreth 645 mijë lekë. Pronarët, për të cilët janë bërë shënimet “Konfirmuar nga ZVRPP-ja” dhe “Saktësim dokumentacioni”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë bashkisë Vlorë.”
Shpronësim për pronarët që preken nga segmenti rrugor “By pass Vlorë”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave . Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Vlorë”. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për tokë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “kullotë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 51 milionë lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, do të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Shpronësimet”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar. Shpenzimet procedurale, kapin vlerën 337 mijë lekë. Ato do të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Likuidimi i pronarëve nga Autoriteti Rrugor Shqiptar të fillojë pas çeljes së fondit. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Zgjerimi i rrugës së Elbasanit
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Zgjerimi i rrugës së Elbasanit” (Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe e Tiranës), cilat bëhen në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të jetë rreth 154 milionë lekë dhe pronarët do të shpronësohen sipas masës për tokë “truall”, “arë” dhe “objekte”. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë duhet të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
“Furnizimi me ujë dhe shërbimet sanitare në Orikum”
Me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave vendosi për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Furnizimi me ujë dhe shërbimet sanitare në Orikum”. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës - Kanalizimeve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për tokë “pemishte” dhe “ullishte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 47 mijë lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 47 415 lekësh do të përballohet nga buxheti i vitit 2014, për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Segmenti rrugor Qukës- Pogradec- Qafë Plloçë
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Qukës- Pogradec- Qafë-Plloçë dhe që bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar, do të shpronësohen ne vlerën e rreth 15 milionë lekëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës për tokë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 15 milionë lekë. Vlera do të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Librazhd dhe Pogradec, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe me fillimin e procesit të likuidimit do të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit./Shekulli
Më të lexuarat








