Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftoi se sot hyn në fuqi rritja e pagave për ata që punojnë në administratë, arsim apo shëndetësi.
Ministri theksoi se kjo rritje pagash u bë vetëm në sajë të reformave të qeverisë.“Duke filluar nga sot, është jetësuar rritja e pagave mesatarisht 10% për punonjësit e administratës publike, nëpunësit civilë, nëpunësit, zv/ministrat, aparatet e ministrive të linjës, administratën e Presidentit, administratën e Kuvendit, KQZ, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, inistucione në varësi të Kryeministrit, ministrave të linjës dhe administratën e prefektit. Në total janë rreth 21 mijë punonjës që përfitojnë rritjen e pagës nga kategoria e mësipërme, me një kosto financiare vjetore 1 miliard lekë. Në të njëtën kohë, sot është njëjtësuar rritja e pagave për punonjësit në arsimin parauniversitar. Rritja e pagave për punonjësit në arsimin parauniversitar është 10%.
Paga bazë e mësuesit në shkollat e mesme rritet me 3850 lekë/muaj dhe paga bruto shkon 68150 lekë/muaj. Paga bazë e mësuesit në ciklin e lartë në shkollat 9-vjeçare rritet me 3550 lekë/muaj dhe paga bruto shkon 64 650 lekë/muaj. Paga bazë e mësuesit në ciklin e ulët në shkollat 9-vjeçare rritet me 3350 lekë/muaj dhe paga bruto shkon 62 450 lekë/muaj. Nga ky vendim përfitojnë 31 370 punonjës të sistemit arsimor, me efekt vjetor 1.3 miliardë lekë. Gjithashtu, paga në këtë sistem shoqërohet edhe me rritjen e pagave në sistemin arsimor të lartë me 10-12%. Rritje janë rreth 3500 profesorë dhe punonjës akademikë, të cilëve iu rritet paga pas një periudhe shumë të gjatë e paprekur nga asnjë qeveri, me një fond 45 milionë në vit. Rritjen e pagave me 10% në sistemin shëndetësor. Përfitojnë 18 mijë nëpunës me një fond total prej 1.3 miliardë lekë në 12 muaj. Në të njëjtën kohë rritjen me 10% të pagës për të gjitha gradat diplomatike. Në total, numri i përfituesve nga ky vendim është rreth 400 punonjës të ambasadave me efekt financiar 70 milionë lekë. Rritje me 7% e pagës për administratën në njësitë e pushtetit vendor. Kjo rritje për punonjësit e administratës së pushtetit lokal do të përballohet nga të ardhurat e vetë njësive vendore”, tha Ahmetaj.