Secondary Adv

Gara Tiranathlon mbahet të dielën në kryeqytet, rrugët që bllokohen dhe kufizimet në trafik

Tirana do të presë të dielën, më 27 shtator, aktivitetin sportiv “Tiranathlon 2026”, që ndërthur notin, çiklizmin dhe vrapin.

Për zhvillimin e garës do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa akse të kryeqytetit nga ora 08:00 deri në 13:00, ndërsa do të ketë ndryshime edhe në itineraret e transportit urban.


Aktiviteti do të zhvillohet në parkun Helen, pranë Liqenit të Farkës. Policia ka hartuar një plan masash për organizimin e qarkullimit dhe mbarëvajtjen e garës, duke parashikuar bllokimin e përkohshëm të disa segmenteve rrugore.


Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi

Kufizimet do të përfshijnë rrugën “Daxhit”, nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri në kryqëzimin me rrugën e “Vrapëve”, përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”. Qarkullimi do të kufizohet gjithashtu në bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, në segmentin nga Ura e Shkozës deri te ura në kryqëzimin me rrugët “Selman Riza” dhe “Kastriot Feska”.


Bllokime do të ketë edhe në rrugën interurbane kryesore TEG-Ura e Shkozës, si dhe në segmentin e Unazës së Madhe nga nyja e Rrethrrotullimit të Freskut deri në TEG. Në këtë të fundit, automjetet do të devijohen drejt rrugës së Rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën “Xhanfize Keko”.


Ndryshime edhe për linjat urbane

Gjatë orarit të kufizimeve do të ndryshojë edhe itinerari i disa linjave të transportit urban. Linja nr. 10/A “Materniteti i Ri-Qendër-Ish Fusha e Aviacionit” do të devijohet përkohësisht te Ura e Brrylit, ndërsa linja nr. 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë-Ish Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht.


Qarkullimi i automjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha akset e përfshira në kufizimet e përkohshme.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat