Familjet shqiptare po marrin më pak hua, por borxhi po rëndon më shumë mbi të ardhurat
Huamarrja e familjeve shqiptare ka shënuar një rënie të lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, por pesha e detyrimeve të kredisë ndaj të ardhurave mujore është rritur.

Ndërkohë, ndonëse më pak familje deklarojnë se kanë hua për të shlyer, vlera e borxhit të mbetur është rritur ndjeshëm krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, rreth 16% e familjeve të intervistuara kanë të paktën një hua për të paguar, pavarësisht burimit, llojit apo vlerës së saj. Konkretisht, nga 1,066 familje që morën pjesë në vrojtim, 173 deklaruan se kishin detyrime të papaguara.
Kjo përqindje ka rënë me 1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 dhe me 0.3 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se teprica totale e huasë së raportuar është rritur me 41% krahasuar me vrojtimin e mëparshëm, ndërsa në krahasim me një vit më parë rezulton 2% më e ulët. Kjo tregon se, megjithëse pesha e familjeve huamarrëse është zvogëluar, detyrimet e mbetura të raportuara prej tyre janë shtuar në raport me fundin e vitit 2025.
Konsumi kryeson në numrin e huave, pronat në vlerën e borxhit
Një nga gjetjet e vrojtimit lidhet me qëllimin për të cilin familjet shqiptare marrin hua.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 28% e rasteve të huamarrjes janë deklaruar për konsum, 20% për zhvillimin e biznesit dhe 18% për blerjen apo riparimin e një prone.
Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, pesha e huave për konsum ka rënë me 7 pikë përqindjeje, ndërsa krahasuar me një vit më parë rënia është 5 pikë përqindjeje.
Në të kundërt, huamarrja për zhvillimin e biznesit ka fituar terren, duke u rritur me 2 pikë përqindjeje në terma gjashtëmujorë dhe me 3 pikë përqindjeje në terma vjetorë.
Por tabloja ndryshon kur analizohet vlera e borxhit të mbetur dhe jo numri i rasteve të huamarrjes.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 48% e tepricës totale të huasë së deklaruar lidhet me blerjen ose riparimin e pronave, duke regjistruar një rritje prej 2 pikësh përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 28 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Huamarrja për zhvillimin e biznesit përfaqëson 21% të tepricës, ndërsa ajo për konsum vetëm 5%.
Kjo shpërndarje tregon se, ndonëse huatë për konsum janë më të shpeshta në numër, financimi i pasurive të paluajtshme përfaqëson pjesën më të madhe të detyrimeve të mbetura të familjeve.
Bankat forcojnë pozitat, por huamarrja informale mbetet e konsiderueshme
Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të strukturës së borxhit drejt institucioneve financiare formale.
Rreth 68.5% e tepricës së huasë së raportuar nga familjet vjen nga burime formale, ku bankat përfaqësojnë 68.2% dhe institucionet financiare jobanka vetëm 0.3%.
Ndërkohë, 31.5% e tepricës së borxhit lidhet me burime joformale, kryesisht hua të marra nga persona fizikë, të cilat përfaqësojnë rreth 31% të totalit.
Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, pesha e bankave në tepricën e huasë është rritur me 17 pikë përqindjeje, ndërsa ajo e huave nga persona fizikë është ulur me 13 pikë përqindjeje.
Megjithatë, huamarrja jashtë institucioneve financiare vijon të zërë një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve të familjeve shqiptare.
Sa i përket formës së huamarrjes, 42% e rasteve janë kredi bankare, 8% karta krediti dhe overdrafte, 40% hua në para në dorë dhe 10% hua në formën e mallrave të papaguara.
Pesha e huamarrjes në para në dorë është rritur me 6 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm.
Rritet pesha e familjeve që shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave për shlyerjen e huasë
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me ngarkesën që krijon pagesa e huasë në buxhetin familjar.
Sipas vrojtimit, rreth 76% e familjeve huamarrëse deklarojnë se pagesa e huasë përfaqëson më pak se 30% të të ardhurave të tyre mujore.
Nga këto, 33% shpenzojnë deri në 10% të të ardhurave për shlyerjen e detyrimeve, ndërsa 43% shpenzojnë nga 10% deri në 30%.
Por pesha e këtyre familjeve është ulur me 3 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 8 pikë përqindjeje në krahasim me një vit më parë.
Në anën tjetër, 24% e familjeve huamarrëse deklarojnë se pagesa e huasë u merr më shumë se 30% të të ardhurave mujore, nga 16% që ishte kjo peshë një vit më parë.
Më konkretisht, 18% e familjeve shpenzojnë nga 31% deri në 50% të të ardhurave për pagesat e huasë, 3% shpenzojnë nga 51% deri në 70%, ndërsa 3% të tjera deklarojnë se detyrimet tejkalojnë 70% të të ardhurave të tyre mujore.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo zhvendosje e strukturës së pagesave tregon për një rritje të ngarkesës së borxhit mbi familjet gjatë periudhës së analizuar.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)