Von der Leyen: Shqipëria ka përmbushur mbi 80 për qind të reformave, ka përfituar 213 mln euro
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ka përmbushur mbi 80 për qind të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes.
Sipas saj, vendi ka përfituar deri tani 213 milionë euro fonde dhe pritet të marrë financime të tjera.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, von der Leyen vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke përmendur edhe mbylljen në korrik të tre kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim.
“Shqipëria është ndër vendet kryesuese të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka bërë një ecuri të mrekullueshme. Në korrik keni mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësimin”, deklaroi von der Leyen.
Ajo theksoi se nevojiten reforma të mëtejshme në kapitujt e hapur, përfshirë drejtësinë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke nënvizuar se zbatimi i tyre duhet të sjellë ndryshime konkrete.
Plani i Rritjes dhe integrimi në tregun europian
Von der Leyen u ndal edhe te Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, integrimi i Shqipërisë në SEPA dhe puna për uljen e tarifave të roamingut. Sipas saj, Plani i Rritjes synon të sjellë investime të BE-së në Shqipëri, të hapë pjesë të tregut të përbashkët dhe të mbështesë reformat që rrisin konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare.
“Shqipëria po ecën shumë mirë me Planin e Rritjes. Keni përmbushur mbi 80% të reformave. Keni marrë 213 mln euro fonde dhe pritet të marrim edhe të tjera. Po punojmë edhe për uljen e tarifave të roamingut. Për bizneset e BE-së dhe ato shqiptare, bashkëpunimi po ecën shumë mirë”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit Europian deklaroi gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë do të forconte si vendin, ashtu edhe Bashkimin Europian, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kur interesat dhe vlerat e përbashkëta vihen në pikëpyetje.
Rama: Do të publikohen dokumentet për projektin e Zvërnecit
Kryeministri Edi Rama u ndal te projekti i diskutuar në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se qeveria është në pritje të studimit të thelluar mjedisor dhe se dokumentacioni për projektin do të publikohet në platformën “Pasqyra”.
“Për Zvërnecin presim studimin e thelluar mjedisor. Kemi hedhur hapa për transparencën dhe, në ditët e ardhshme, do të hapim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve për projektin e shumëdiskutuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjeve madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe, bashkërisht, kemi konstatuar se tashmë është shumë e qartë: nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, u shpreh Rama.