Secondary Adv

Rritet me 15.2 për qind paraja jashtë bankave, Tatimet kërkojnë pagesa me kartë nga bizneset

Paraja jashtë bankave arriti në 534.1 miliardë lekë në gusht, duke u rritur me 70.5 miliardë lekë brenda një viti.

Më shumë se 534 miliardë lekë qarkullojnë jashtë bankave në Shqipëri, duke shënuar një tjetër rekord në gusht 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave arriti në 534.1 miliardë lekë, nga 483.4 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 50.7 miliardë lekësh, ose 10.5%, vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit.


Rritja është edhe më e fortë në krahasim me një vit më parë. Në gusht 2025, jashtë bankave qarkullonin 463.6 miliardë lekë, ndërsa në gusht të këtij viti shuma arriti në 534.1 miliardë lekë. Diferenca është rreth 70.5 miliardë lekë, ose 15.2% më shumë brenda një viti.


Cash-i arrin një tjetër rekord

Rritja e parasë në qarkullim lidhet me disa faktorë, mes të cilëve zgjerimi i aktivitetit ekonomik, rritja e konsumit dhe sezoni turistik, i cili shton fluksin e parasë. Ndërkohë, përdorimi i lartë i parasë fizike mund të krijojë më shumë hapësirë për informalitet dhe pastrim parash, pasi transaksionet me para në dorë janë më të vështira për t'u gjurmuar.


Përdorimi masiv i pagesave cash sjell kosto dhe pasoja për ekonominë, pasi një pjesë e qarkullimit të parasë mbetet jashtë kanaleve bankare dhe kontrolli apo gjurmimi i transaksioneve bëhet më i vështirë. Rritja e parasë jashtë bankave po ndodh në një periudhë kur institucionet po ndërmarrin masa për të nxitur kalimin drejt një ekonomie me më pak përdorim të parasë fizike.


Bizneset duhet të mundësojnë pagesat me kartë deri më 31 dhjetor

Drejtoria e Tatimeve u ka rikujtuar sektorëve të ekonomisë se brenda datës 31 dhjetor 2026 duhet të instalojnë terminalet POS në bizneset e tyre, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të kryejnë pagesa me kartë.


Nga ky detyrim përjashtohen tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në zona ku nuk ka mbulim me internet, subjektet që nuk kanë detyrim të lëshojnë fatura, subjektet që nuk janë pjesë e skemës së TVSH-së, si dhe ata që kanë statusin e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.


Kjo përbën fazën e dytë të zbatimit të masave për pagesat elektronike, pas strukturave akomoduese, institucioneve dhe shoqërive publike me kapital shtetëror, si dhe sektorit të transportit, të cilët prej 1 qershorit ofrojnë si alternativë edhe pagesën me kartë në pikën e shitjes.


Kufizohen edhe pagesat e mëdha me para në dorë

Në kuadër të masave për reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi, këtë vit janë vendosur edhe kufizime për pagesat me para në dorë. Qytetarët nuk mund të kryejnë blerje me vlerë më të madhe se 5 mijë euro në cash, ndërsa për bizneset kufiri është ulur nga 1,500 euro në jo më shumë se 1 mijë euro.

Burimi: Shqiptaraj.com


Më të lexuarat