Ditë vendimtare për Kosovën: Sot afati i fundit për presidentin ose vendi shkon sërish në zgjedhje
Kosova përballet sot me një ditë vendimtare politike, teksa skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kreun e shtetit brenda afatit, vendi përballet me zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Paralelisht, protestuesit rikthehen para Kuvendit duke kërkuar votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Një situatë e ngjashme çoi vetëm pak muaj më parë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, pasi Kuvendi i mëparshëm nuk arriti të zgjidhte presidentin. Megjithatë, as zgjedhjet e qershorit nuk arritën ta zhbllokonin situatën politike.
Protesta rikthehet para Kuvendit
Protesta e sotme është paralajmëruar të nisë në orën 09:00, pas një të hëne të tensionuar, kur ndryshimet për Dhomat e Specializuara u miratuan në parim me 91 vota, por nuk kaluan në lexim të dytë.
Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë lanë 17 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, prej të cilëve 11 qytetarë dhe gjashtë efektivë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa tre persona u arrestuan. Mes të arrestuarve ishte edhe djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u ka bërë thirrje qytetarëve të rikthehen në protestë, me kërkesën që Kuvendi të mblidhet dhe të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Dhomat e Specializuara.
LVV dhe PDK përplasen për radhën e votimeve
Përveç çështjes së Dhomave të Specializuara, sot është edhe dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Radha e zhvillimit të dy votimeve ka shkaktuar përplasje mes Vetëvendosjes dhe PDK-së. LVV kërkon që fillimisht të zgjidhet presidenti dhe më pas të votohen ndryshimet për Specialen, ndërsa PDK kërkon që fillimisht të miratohen përfundimisht ndryshimet për Dhomat e Specializuara dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.
Takimi mes Albin Kurtit dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje. Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi se partia është e gatshme që të dyja votimet të zhvillohen sot, përmes dy seancave të veçanta.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit të sotëm, Kosova përballet sërish me zgjedhje, të cilat duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.