
Ne 2015 te gjithe televizionet ne Shqiperi, me pagese?
Në vitin 2015 shqiptarët do të duhet të paguajnë për të shikuar dhe atë që sot është televizioni publik shqiptar. Nëpërmjet një analize por dhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të bërë publike te BIRN, (portali investigativ për Ballkanin), nga Besar Likmeta, thuhet se si në të gjithë Evropën, në vitin 2015 televizionet në Shqipëri duhet të kenë përfunduar transferimin e transmetimeve nga analoge në ato dixhitale.
Edhe pse ky afat po afrohet, transmetuesi televiziv publik shqiptar, RTSH-ja, nuk e ka filluar akoma procesin e instalimit të antenave transmetuese dixhitale, për shkak se tenderi për blerjen e tyre është subjekt i një çështjeje gjyqësore midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë gjermane “Rohde & Schwartz”. Likmeta ka bërë publike dhe një raport të KLSH-së për periudhën 2010-2013 i cili fakton abuzimet me tenderat në TVSH.
Transmetimet dixhitale
BIRN shkruan se në qershor të vitit 2012, qeveria shqiptare vendosi që asnjë operator televiziv, përfshirë dhe transmetuesit publikë, nuk duhet të lejohen të transmetojnë në analog pas qershorit 2015. Për këtë arsye në mars të vitit 2013, Ministria e Inovacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë, shpalli një tender me një vlerë prej 23 milionë eurosh në të cilin morën pjesë katër kompani ndërkombëtare. Përveç “Rohde and Schwarz”, tri kompanitë e tjera pjesëmarrëse ishin “Ericsson”, “Huawei International” dhe “NEC Eastern Europe” Ltd në bashkëpunim me “Metalcom Inc”. Pas vlerësimit të ofertave, komisioni i tenderit shpalli fituese kompaninë gjermane “Rohde & Schwartz”, por ministri i inovacionit i asaj kohe, Genc Pollo, kërkoi një vlerësim të dytë nga kompania konsulente, “Kordia” Ltd.
Pas rivlerësimit, Pollo shpalli fituese dy kompani, Ericsson dhe “Rohde&Schwartz”, dhe u kërkoi atyre të ndanin kontratën. Kompania gjermane nuk e pranoi këtë vendim dhe e hodhi qeverinë shqiptare në gjyq. Në shkallën e parë kompania e fitoi gjyqin, pasi gjykata arsyetoi se ish-ministri me veprimet e tij kishte shkelur barazinë në tender, një vendim që Pollo e kundërshtoi. Pas ardhjes në pushtet në shtator 2013, ministrja e re e Inovacionit, Mirela Harito, e ankimoi vendimin e gjykatës në Apel, ndërsa çështja tashmë është ende në proces.
Sipas ish-drejtorit të RTSH-së, Petrit Beci, ngërçi në këtë proces do të thotë qënë qershor të vitit 2015, televizionet e mbetura do të jenë vetëm ato që transmetojnë nëpërmjet rrjeteve dixhitale me pagesë. “Ti thuash jo “Rohde&Schwartz” dhe “Deutche Bank”, do të thotë që nuk do ta bësh”, - tha Beci në një intervistë për BIRN. “Edhe ligji i prokurimeve është mbrapsht, është bërë i tillë që të fitojë pisllëku”,- shtoi Beci. Ish-drejtori i RTSH-së ka pohuar se tenderi i dixhitalizimit duhej të ishte mbajtur nga RTSH-ja, por ai ishte i lumtur që ministria e kishte marrë përsipër përgjegjësinë. “Nuk doja të bëhej tek unë, sepse e dija që do të kapitulloja nga presioni”, - tha Beci. “Është një mëkat i jashtëzakonshëm ai që ka bërë Gens Pollo”, - shtoi Beci.
Abuzimet me tenderët në TVSH, Beci pranon shkeljet
BIRN ka bërë publik dhe një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që mbulon periudhën nga viti 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2013, ku tregohet se RTSH-ja ka mbajtur 12 tenderë për pajisje dhe shërbime për kontrata, me vlerë 168.2 milionë lekë (1.2 milion Euro) në total. Sipas raportit, të gjithë tenderët kanë dështuar në zbatimin e procedurave standarde të prokurimit ndërkohë që dy kompanitë, TBS96 dhe Eurokontakt, kanë fituar shumicën e tenderëve për pajisjet e televizionit. Sipas auditimit, në të paktën një prej tenderëve, TBS96 duket të ketë pasur njohuri paraprake se do zgjidhej si kompani fituese. Edhe pse raporti i KLSH-së, konsideron përgjegjëse njësinë e prokurimit të transmetuesit publik, për shkelje në mënyrë të përsëritur të ligjit të prokurimit, ajo nuk ka ngritur padi duke i konsideruar shkeljet të natyrës administrative.
Në një intervistë për BIRN, Beci, e hodhi poshtë raportin si joprofesional dhe ka akuzuar autorët se po përpiqen ti bëjnë shantazh. Por sipas audituesve, në shumë raste, transmetuesi ka imponuar kritere që kanë penguar konkurrencën dhe kanë kufizuar ofertën për pajisjet e televizionit në dy kompani. Shkelje janë vërejtur me disa tenderë të mbajtur në vitin 2010 apo 2012. Ish-drejtori Beci mbrojti punën e tij në krye të transmetuesit, duke argumentuar se vetëm disa nga furnizuesit e pajisjeve të TV ishin në treg. “Ka vetëm dy kompani në Shqipëri që shesin pajisje për televizione. Pjesa tjetër ose nuk kanë dokumente të duhura ose janë vetëm dyqane”, - shtoi ai, duke vënë në dukje se TBS96 shpk është furnizuesi më i madh, ndërsa Eurokontakt ishte furnizuesi tjetër. Beci mohoi të kishte përfituar nga tenderët. Megjithatë, ai pranoi se sistemi i tenderimit kishte mundësi abuzimi.
Anëtarët e AMA-s, Komisioni i Medias përjashtoi edhe dy kandidatë
Komisioni parlamentar i Medias vijoi edhe dje procedurat për plotësimin e vendeve vakante të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Nënkryetari i komisionit, Alfred Peza, bëri të ditur se në mbledhjen e djeshme anëtarët vendosën të përjashtojnë nga gara për postin e anëtarit të AMA-s, kandidatin Feti Zeneli dhe kandidaten Edlira Çaushi. Gjatë mbledhjes nënkryetari Peza u kërkoi sërish deputetëve të opozitës që të bëhen pjesë e këtij procesi, i cili synon të nxjerrë nga ngërçi disavjeçar Autoritetin e Mediave Audiovizive. Ai tha se deputetët e mazhorancës do të ushtrojnë detyrën e tyre ligjore, duke bërë përzgjedhjen e anëtarëve sipas formulës, me të cilën është rënë dakord edhe me opozitën. Pritet që ditën e premte, komisioni i Medies të përzgjedhë emrat e anëtarëve të AMA-s, të cilët më pas do të kalojnë për miratim në parlament.
Sipas procedurës së përcaktuar më herët dhe të nisur më 1 tetor, komisioni do të skualifikojë nga një emër për të arritur tek 3 anëtarë të mbështetur nga mazhoranca ndërsa priten dhe propozimet dhe sugjerimet e opozitës. Deputetja e PS-së, anëtare e Komisionit të Medies, Mimoza Hafizi ka shpjeguar më herët se: “Gjithë emrat e listës janë emra të mbështetur nga mazhoranca, kurse në rastin e opozitës do të thosha se për emrin e mbështetur prej tyre ne do të jemi të hapur. Edhe ata, nëse do të duan të fillojnë nga një numër më i vogël se 25, ne do të biem dakord deri në numrin minimal 4. /BIRN
Më të lexuarat








