Protesta e studentëve, Rama për Reuters: Nuk e jap dorëheqjen
Edi Rama refuzon dorëheqjen pas tri ditësh protesta studentore dhe shprehet i gatshëm për dialog mbi kostot e arsimit.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave studentore që kanë përfshirë Tiranën dhe që këtë të enjte hynë në ditën e tretë radhazi. Në një reagim për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama theksoi se ndryshimi i qeverive bëhet përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes protestave të dhunshme.
Protestat e studentëve, të cilët kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës në kryeqytet. Gjatë demonstratave, protestuesit kanë thyer xhama dhe kanë dëmtuar prona, ndërsa policia ka përdorur autobotë me ujë për shpërndarjen e tyre. Situata e krijuar ka sjellë edhe anulimin e seancës plenare të Kuvendit.
Rama: Patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion
Në përgjigjet me shkrim për Reuters, kryeministri iu përgjigj kërkesave të protestuesve për dorëheqjen e tij, duke theksuar se qeveria ka marrë një mandat përmes procesit zgjedhor.
“Sa i përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se përgjegjësia e tij është të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të vijojë punën për përmbushjen e objektivave të vendit, veçanërisht në procesin e integrimit europian.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të adresoj shqetësimet legjitime dhe ta ndihmoj Shqipërinë të ecë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.
I gatshëm për dialog mbi kostot e arsimit, por dënon dhunën
Rama deklaroi se është i gatshëm të diskutojë me studentët lidhur me rritjen e kostove të arsimit, një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë protestave.
Megjithatë, ai bëri një dallim mes kërkesave të studentëve dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar demonstratat, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës publike.
“Sulmi ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve”, deklaroi Rama për Reuters.
Protestat kanë vijuar për tri ditë radhazi në kryeqytet, ndërsa përplasjet me policinë dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë demonstratave kanë ndikuar edhe në funksionimin e institucioneve shtetërore, përfshirë anulimin e seancës parlamentare të së enjtes.
Reuters: Protestat, sfida më e madhe për Ramën pas mandatit të katërt
Sipas Reuters, protestat studentore përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për kryeministrin Edi Rama, i cili fitoi mandatin e katërt qeverisës në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve e lidh situatën aktuale edhe me klimën e protestave të muajve të fundit në Shqipëri. Sipas raportimit, trazirat vijnë pas një periudhe demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të vendit.
Projekti mbështetet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe është përballur me sfida ligjore.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të protestuesve për largimin e tij, Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se do të vijojë mandatin qeverisës dhe punën për përfundimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Burimi: Euronews
Më të lexuarat






k.jpg)