Secondary Adv

Shqipëria, e parafundit në rajon për rritjen ekonomike, investimet ngadalësohen

Ekonomia shqiptare u rrit me 3,6 për qind në tremujorin e dytë 2026, ndërsa investimet shënuan ngadalësim.

Shqipëria regjistroi rritjen e dytë më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën. Sipas raportit më të fundit ekonomik të Komisionit Europian për vendet kandidate, ekonomia shqiptare u zgjerua me 3,6 për qind me bazë vjetore, në të njëjtin nivel me mesataren e ponderuar të rajonit.


Ndërsa shumica e ekonomive të Ballkanit Perëndimor përshpejtuan rritjen, Shqipëria regjistroi një ngadalësim të lehtë, nga 3,7 për qind në tremujorin e parë në 3,6 për qind në të dytin. Më i dukshëm ishte ngadalësimi i investimeve, të cilat u rritën me vetëm 1,8 për qind, nga 4 për qind në tremujorin e mëparshëm, në një kohë kur vendet e tjera të rajonit shënuan përshpejtim të këtij treguesi.


“Rritja e investimeve vijoi të ngadalësohej, duke zbritur në 1,8 për qind me bazë vjetore, nga 4,0 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 9,9 për qind në tremujorin e

katërt të vitit 2025, por mbeti mbi nivelin prej 0,6 për qind të regjistruar një vit më parë”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.


Sipas raportit, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u mbështet kryesisht nga konsumi i familjeve dhe investimet. Shqipëria regjistroi rritjen më të lartë të konsumit privat në rajon, prej 4,6 për qind me bazë vjetore, e ndjekur nga Kosova me 4,4 për qind. Ecuria pozitive e konsumit u mbështet nga rritja e pagave, të cilat vijuan të nxisnin kërkesën e brendshme.


Shqipëria, e vetmja në rajon me ngadalësim të investimeve

Zhvillimet në investime paraqesin një tablo të ndryshme nga ajo e konsumit privat. Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku ritmi i rritjes së formimit bruto të kapitalit fiks u ngadalësua gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.


Investimet në ekonominë shqiptare u rritën me 1,8 për qind me bazë vjetore, nga 4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 9,9 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2025. Megjithatë, ritmi i rritjes mbeti mbi nivelin prej 0,6 për qind të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Në të kundërt, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistruan zgjerim të ndjeshëm të investimeve, përkatësisht me 16,5 për qind dhe 26,5 për qind. Sipas Komisionit Europian, kjo ecuri u nxit kryesisht nga rritja e shpenzimeve kapitale publike në këto vende.


Kështu, ndërsa konsumi privat vijoi të mbështesë rritjen e ekonomisë shqiptare, investimet shfaqën një dinamikë më të dobët krahasuar me pjesën tjetër të rajonit.


Turizmi përmirëson pozicionin e jashtëm, llogaria korrente kalon në suficit

Pavarësisht ritmit relativisht më të ulët të rritjes ekonomike, Shqipëria ishte ndër vendet që kontribuuan më shumë në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.


Sipas Komisionit Europian, bilanci i llogarisë korrente të Shqipërisë, i matur për katër tremujorët e fundit, kaloi në suficit prej 0,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2026.


Ky përmirësim u mbështet kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht turizmit, si dhe nga përmirësimi i bilancit të të ardhurave parësore. Në këtë të fundit ndikuan pjesërisht të ardhurat më të larta nga puna afatshkurtër dhe ndërkufitare jashtë vendit. Shqipëria ishte gjithashtu ndër ekonomitë e rajonit ku rezervat valutore shënuan rritje më të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.


Në nivel rajonal, deficiti mesatar i ponderuar i llogarisë korrente, i matur për katër tremujorët e fundit, u ngushtua në 4,6 për qind të PBB-së, ose 0,8 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Përmirësimi u nxit kryesisht nga Shqipëria dhe Serbia.


Në Serbi, deficiti i llogarisë korrente u ul nga 5,5 për qind në 4 për qind të PBB-së, falë rritjes së eksporteve të automjeteve dhe remitancave. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, deficiti u zgjerua me 1,3 pikë përqindjeje, duke arritur në 4,9 për qind të PBB-së, si pasojë e rënies së remitancave dhe rritjes së deficitit tregtar të mallrave.


Mali i Zi vijoi të kishte pozicionin më të dobët të jashtëm në rajon, me një deficit të llogarisë korrente prej 20,9 për qind të PBB-së, nga 18 për qind një vit më parë.


Investimet e huaja direkte neto, të shprehura si përqindje e PBB-së, ishin më të ulëta se një vit më parë në shumicën e ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Ato varionin nga 1,8 për qind e PBB-së në Maqedoninë e Veriut në 6,4 për qind në Kosovë. Sipas Komisionit Europian, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë investimet e huaja direkte mbuluan më shumë se dy të tretat e deficitit të llogarisë korrente.


Ballkani Perëndimor përshpejton rritjen, Maqedonia e Veriut kryeson me 4,3 për qind

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor u rrit mesatarisht me 3,6 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, nga 3,2 për qind në tremujorin e parë. Ky ishte ritmi më i lartë i zgjerimit ekonomik që prej tremujorit të dytë të vitit 2024, pavarësisht mjedisit të jashtëm sfidues.


Përshpejtimi u mbështet kryesisht nga Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit, ku rritja ekonomike arriti në 3,8 për qind, nga 3,2 për qind në tremujorin e mëparshëm.


Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të lartë ekonomike në rajon, prej 4,3 për qind, nga 3,1 për qind në tremujorin e parë. Kosova u rendit e dyta, me një zgjerim prej 4,1 për qind, megjithëse ritmi i saj i rritjes ishte ngadalësuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.


Mali i Zi përshpejtoi rritjen ekonomike nga 2,5 për qind në 3,8 për qind, ndërsa Bosnjë-Hercegovina regjistroi një përmirësim të lehtë, nga 2,3 për qind në 2,4 për qind.


Me një rritje prej 3,6 për qind, Shqipëria u rendit e parafundit në Ballkanin Perëndimor, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën. Shqipëria dhe Kosova ishin dy ekonomitë e vetme të rajonit që nuk regjistruan përshpejtim të rritjes krahasuar me tremujorin e parë të vitit.


Financat publike, Shqipëria regjistron suficit më të lartë dhe ulje të borxhit

Ndërsa shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë përballur me përkeqësim të bilanceve fiskale, Shqipëria ka regjistruar një ecuri më pozitive të financave publike.


Sipas Komisionit Europian, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, të ardhurat buxhetore u rritën përgjithësisht me ritme të forta në rajon. Megjithatë, në shumicën e vendeve zgjerimi i shpenzimeve ishte edhe më i lartë, me përjashtim të Shqipërisë.


Rritja e shpenzimeve në rajon u nxit kryesisht nga zgjerimi i investimeve publike në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Si rezultat, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistruan deficite fiskale më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa Serbia kaloi nga një buxhet i balancuar në një deficit të moderuar.


Në të kundërt, Shqipëria regjistroi një suficit buxhetor më të lartë, ndërsa Kosova vijoi të kishte suficit, por në një nivel më të ulët se një vit më parë.


Edhe borxhi publik shënoi rënie në shumicën e ekonomive të rajonit në qershor 2026, krahasuar me fundin e vitit 2025. Ulja më e madhe e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së u regjistrua në Mal të Zi, me 4,2 pikë përqindjeje, e ndjekur nga Shqipëria, me 3,9 pikë përqindjeje.


Në fund të qershorit 2026, borxhi publik i Shqipërisë ishte 49 për qind e PBB-së, ndërsa ai i Malit të Zi arriti në 58,5 për qind.


Inflacioni në rajon arrin në 4 për qind, Kosova me rritjen më të lartë të çmimeve

Inflacioni mesatar vjetor në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në 4 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, nga 3,2 për qind në tre muajt e mëparshëm.


Presionet inflacioniste vijuan edhe gjatë tremujorit të tretë, me rritjen e çmimeve të konsumit që varionte nga 2,5 për qind në Maqedoninë e Veriut në 7,2 për qind në Kosovë.


Sipas Komisionit Europian, shtrenjtimi i ushqimeve, transportit dhe energjisë ishte ndër faktorët kryesorë që ndikuan në përshpejtimin e inflacionit në rajon.


Pavarësisht shtimit të presioneve mbi çmimet, bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë autonomi monetare i mbajtën të pandryshuara normat bazë të interesit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026.


Në tërësi, raporti i Komisionit Europian evidenton një ecuri të përzier për ekonominë shqiptare. Nga njëra anë, vendi ka përmirësuar pozicionin e jashtëm, ka regjistruar suficit më të lartë buxhetor dhe ka ulur raportin e borxhit publik ndaj PBB-së. Nga ana tjetër, ngadalësimi i investimeve dhe ritmi më i ulët i rritjes ekonomike krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit mbeten zhvillimet kryesore të tremujorit të dytë të vitit 2026.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat