Sigurimi i jetës, Shqipëria ndër vendet e fundit në Evropën Qëndrore dhe Lindore
Shqipëria renditet ndër vendet me sigurimin më të ulët të jetës në rajon, me 13 milionë euro prime në gjashtë muaj.

Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të sigurimit të jetës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sipas raportit më të fundit të Xprimm, sigurimi i jetës përfaqëson vetëm 9 për qind të primeve të përgjithshme të tregut të sigurimeve, ndërsa vlera e primeve të këtij segmenti rezulton më e ulëta në rajon.
Të dhënat tregojnë një nivel të ulët të përdorimit të sigurimit të jetës nga qytetarët shqiptarë. Ky produkt mund të ofrojë mbulim financiar për rreziqe të caktuara, si probleme shëndetësore, aksidente apo humbja e jetës, në varësi të kushteve të policës së sigurimit.
Megjithatë, sigurimet vullnetare, si ato të jetës dhe të pronës, shpesh nuk konsiderohen përparësi nga familjet shqiptare, por shihen si një shpenzim shtesë në buxhetin familjar. Kostot e larta të jetesës përmenden si një nga arsyet kryesore që i pengojnë qytetarët të paguajnë për sigurime të tjera, përveç sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, i cili zakonisht rinovohet çdo vit.
Shqipëria me 13 milionë euro prime, Polonia kryeson me mbi 3.1 miliardë euro
Sipas raportit të Xprimm, Shqipëria renditet në fund të rajonit për vlerën e primeve të sigurimit të jetës, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, Serbia paraqitet me një treg më të zhvilluar të sigurimit të jetës krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pavarësisht nivelit të ulët në krahasim me rajonin, primet e sigurimit të jetës në Shqipëri kanë shënuar rritje kundrejt vitit të kaluar. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, vlera e tyre arriti në 13 milionë euro.
Në Evropën Qendrore dhe Lindore, Polonia mbetet tregu më i madh i sigurimit të jetës. Gjatë periudhës janar–qershor 2026, primet e këtij segmenti në tregun polak tejkaluan vlerën 3.1 miliardë euro, duke evidentuar diferencën e konsiderueshme me tregjet më të vogla të rajonit.
Në Shqipëri, pesha prej vetëm 9 për qind e sigurimit të jetës në totalin e primeve tregon se tregu vendas mbështetet kryesisht te produktet e tjera të sigurimit, ndërsa sigurimi vullnetar i jetës vijon të ketë një rol të kufizuar.
Sigurimi i jetës së kredimarrësve dominon tregun shqiptar
Kompanitë e sigurimit në Shqipëri ofrojnë disa produkte të sigurimit të jetës, përfshirë sigurimin e jetës së debitorit, mbulimin e rreziqeve të lidhura me shëndetin dhe aksidentet, si dhe sigurimin e jetës me elemente kursimi apo përfitimi.
Megjithatë, pjesa më e madhe e primeve të shkruara bruto në segmentin e sigurimit të jetës lidhet me sigurimin e jetës së debitorit. Ky produkt përdoret kryesisht nga individët që marrin kredi në banka ose institucione mikrofinanciare të licencuara.
Sigurimi i jetës së debitorit synon të mbulojë detyrimin e mbetur të kredisë në rast të humbjes së jetës së kredimarrësit, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e sigurimit.
Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e kërkesës për sigurimin e jetës në Shqipëri lidhet me marrjen e kredive, ndërsa përdorimi i tij si një instrument vullnetar për mbrojtjen financiare të individëve dhe familjeve mbetet i kufizuar.
Pavarësisht rritjes së primeve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Shqipëria vijon të renditet ndër tregjet më të vogla të sigurimit të jetës në Evropën Qendrore dhe Lindore, si në vlerë primesh, ashtu edhe në peshën që ky segment zë në tregun e përgjithshëm të sigurimeve.
Burimi:Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)