Publikohet karta e tatimpaguesit, ndihmon bizneset
Publikohet për herë të parë karta e tatimpaguesit, një dokument që shpjegon në mënyrë të përmbledhur të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve. Biznesi tashmë do të jetë më i mbrojtur dhe më i ndërgjegjësuar në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij ndaj administratës fiskale.
Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar për herë të parë Karta e Tatimpaguesit, e cila është një dokument që shpjegon në mënyrë të përmbledhur të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve. Kjo kartë i adresohet çdo tatimpaguesi, por edhe çdo zyrtari tatimor, me qëllim njohjen, respektimin dhe zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjellëta.
Në bazë të kësaj Karte, cdo tatimpagues ka të drejtë, të asistohet pa pagesë, për të njohur të drejtat, por edhe për të plotësuar detyrimet e tij, për situatat konkrete të tyre kontabël apo fiskale. Kjo asistencë ju sigurohet nga administrata tatimore nëpërmjet drejtorive të shërbimeve për tatimpaguesit, të krijuara në çdo drejtori rajonale të tatimeve. Por lidhur me këtë, sipërmarrësit shprehen se do të ketë dhe ulje të abuzimeve apo arbitraritetit të inspektorëve tatimorë, që jo rrallë herë janë denoncuar nga biznesi vendas dhe i huaj. Publikimi i Kartës së Tatimpaguesit pritet të ndikojë edhe në krijimin e një klime më të mirë të qytetarisë dhe edukatës fiskale në vend. Për t’u njohur me përmbajtjen e Kartës së tatimpaguesit, cdo qytetar mund ta gjejë ne linkun e kësaj administrate, www.tatime.gov.al