Ngecin investimet publike, vetëm 36 për qind e planit në 9 muaj
Investimet publike arritën në 62.7 miliardë lekë në 9 muaj, ndërsa mbeten për t'u shpenzuar edhe 113.4 miliardë lekë.

Investimet publike nga buxheti i shtetit vijojnë të shënojnë një nivel të ulët realizimi gjatë vitit 2026. Në nëntë muajt e parë të vitit, shpenzimet për investime kapitale arritën në 62.7 miliardë lekë, duke përmbushur vetëm 35.6 për qind të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Për të realizuar objektivin e parashikuar, qeverisë i mbeten për të shpenzuar edhe 113.4 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë euro, gjatë tre muajve të fundit të vitit.
Kjo do të kërkonte një përshpejtim të jashtëzakonshëm të shpenzimeve publike në fundvit, ndërkohë që ecuria e deritanishme tregon se realizimi i planit të investimeve mbetet një problem i përsëritur.
Gjatë periudhës janar-shtator 2026, shpenzimet për investime kapitale ishin mesatarisht rreth 7 miliardë lekë në muaj. Për të shpenzuar të gjithë fondin vjetor, kjo mesatare duhet të rritet në rreth 37.8 miliardë lekë në muaj gjatë tremujorit të fundit, pra më shumë se pesëfish. Shuma e mbetur përfaqëson 64.4 për qind të planit vjetor të investimeve.
Vonesat në projekte dhe prokurime pengojnë realizimin e investimeve
Realizimi i ulët i investimeve kapitale lidhet me një sërë faktorësh, duke nisur nga vonesat në përgatitjen dhe miratimin e projekteve, procedurat e prokurimit publik dhe ankimimet, deri te problemet me shpronësimet dhe kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e kontratave. Në shumë raste, në buxhetin e shtetit parashikohen fonde për projekte që ende nuk kanë përfunduar procedurat përgatitore, duke ndikuar në vonesat e mëvonshme të realizimit të tyre.
Ndërkohë që fondet e planifikuara për investime publike kanë ardhur në rritje nga viti në vit, kapacitetet administrative për zbatimin e tyre nuk kanë arritur të ndjekin të njëjtin ritëm. Për pasojë, rreziku i mosrealizimit të investimeve nuk kufizohet vetëm te përmbushja e treguesve buxhetorë, por shtrihet edhe te cilësia dhe afatet e përfundimit të projekteve.
Mbi 40 për qind e investimeve përqendrohen në dhjetor, rritet rreziku për abuzime
Përqendrimi i kontraktimeve, punimeve dhe pagesave në një periudhë të shkurtër në fund të vitit mund të krijojë presion të shtuar mbi administratën publike, kompanitë zbatuese dhe mekanizmat e kontrollit të cilësisë. Përvoja e viteve të mëparshme ka treguar se mbi 40 për qind e buxhetit të investimeve alokohet në muajin dhjetor, duke ushtruar presion mbi çmimet dhe inflacionin.
Nga pikëpamja fiskale, mosrealizimi i investimeve ndikon edhe në ecurinë e përgjithshme të buxhetit të shtetit. Nëse projektet nuk përshpejtohen, shpenzimet totale mund të rezultojnë më të ulëta se parashikimi fillestar, duke sjellë pasoja për sektorët ekonomikë që varen nga kontratat dhe investimet publike.
Nga ana tjetër, nëse qeveria përshpejton realizimin e projekteve dhe përqendron pagesa të mëdha gjatë muajve të fundit të vitit, rritet rreziku për abuzime, mungesë eficience dhe dobësi në kontrollin e cilësisë. Këto problematika janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet e tij për zbatimin e buxhetit.
Investimet mbeten prapa, ndërsa nevojat për infrastrukturë janë të mëdha
Për të realizuar plotësisht objektivin vjetor prej 176 miliardë lekësh, nevojitet jo vetëm një përshpejtim i ndjeshëm i shpenzimeve, por edhe një vlerësim realist i kapaciteteve të institucioneve dhe kompanive për të përfunduar projektet brenda afateve të përcaktuara.
Edhe gjatë vitit 2026, investimet publike po vijojnë të ndjekin një model zbatimi ku muajt e fundit të vitit mbajnë peshën kryesore të realizimit. Kjo mënyrë planifikimi dhe ekzekutimi të buxhetit shton pasigurinë për përmbushjen e objektivave, eficiencën e përdorimit të fondeve publike dhe cilësinë e rezultateve përfundimtare.
Realizimi i ulët i investimeve bëhet edhe më shqetësues në kushtet kur Shqipëria vijon të përballet me nevoja të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës. Rrugët, furnizimi i rregullt me ujë, shëndetësia dhe shërbimet e tjera publike mbeten sektorë ku kërkohen investime të konsiderueshme për të reduktuar mangësitë ekzistuese dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)