Secondary Adv

BSH: 91 për qind e shqiptarëve deklarojnë se zotërojnë të paktën një pasuri të paluajtshme

Banka e Shqipërisë: 9 për qind e familjeve nuk zotërojnë asnjë pasuri të paluajtshme, në rritje nga viti 2025.

Numri i familjeve shqiptare që nuk zotërojnë asnjë pasuri të paluajtshme është rritur gjatë vitit të fundit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, rreth 9 për qind e familjeve të intervistuara deklarojnë se nuk kanë asnjë pronë, duke shënuar një rritje prej 4 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 2 pikësh përqindjeje ndaj gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar.


Në të kundërt, pesha e familjeve që zotërojnë të paktën një pasuri të paluajtshme ka zbritur në 91 për qind, me një rënie prej 3.6 pikësh përqindjeje në terma vjetorë dhe 1.6 pikësh përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Vrojtimi është realizuar mbi një kampion prej 1,200 familjesh, nga të cilat 1,066 kanë marrë pjesë në intervistim.


89 për qind e familjeve zotërojnë një ose dy prona

Nga 1,066 familjet që iu përgjigjën vrojtimit, 949 familje, ose rreth 89 për qind e totalit, deklarojnë se zotërojnë një ose dy pasuri të paluajtshme. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për banesa ose për kombinimin e një shtëpie me një pronë tjetër, si tokë, dyqan apo godinë.


Pesha e familjeve që zotërojnë një ose dy prona është zvogëluar me 2 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 4 pikë përqindjeje ndaj së njëjtës periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e familjeve deklarojnë se zotërojnë më shumë se dy pasuri të paluajtshme, një nivel që ka mbetur i qëndrueshëm gjatë periudhave të krahasimit.


Në total, familjet pjesëmarrëse në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë kanë deklaruar se zotërojnë 1,405 pasuri të paluajtshme të kategorive të ndryshme.


Edhe 7 për qind e familjeve me kredi nuk zotërojnë asnjë pronë

Të dhënat e vrojtimit tregojnë se mungesa e pronësisë nuk kufizohet vetëm te familjet që nuk kanë marrë kredi. Nga 173 familje huamarrëse të përfshira në vrojtim, 12 prej tyre, ose rreth 7 për qind, deklarojnë se nuk zotërojnë asnjë pasuri të paluajtshme.

Ndërkohë, 89 për qind e familjeve huamarrëse zotërojnë një ose dy prona, ndërsa 4 për qind deklarojnë se kanë në pronësi më shumë se dy pasuri të paluajtshme.


Rezultatet e vrojtimit tregojnë një rënie të peshës së familjeve që zotërojnë prona gjatë vitit të fundit, ndërsa pjesa dërrmuese e të intervistuarve vijon të deklarojë pronësinë mbi të paktën një pasuri të paluajtshme. Këto të dhëna pasqyrojnë përgjigjet e familjeve të përfshira në kampionin e vrojtimit dhe jo një regjistrim të plotë të pronave në vend.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat