Secondary Adv

AKKP kompenson 43 pronare per legalizimet

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka miratuar në fund të muajit tetor kompensimin financiar për 43 pronarë, tokat e të cilëve janë prekur nga ndërtimet pa leje.


41 prej tyre përfitojnë katër këstet e para të dëmshpërblimit, ndërsa dy të tjerë, këstin e tretë dhe të katërt. Përmes një njoftimi zyrtar, AKKP bënte me dije se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

 


"Në përfundim të këtij procesi është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt (në total 57%) për 41 (dyzetenjë) kërkesa dhe kësti i tretë dhe i katërt (në total 20.06%) për 2 (dy) kërkesa, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në shumën e përgjithshme prej 22 989 430,28 lekë (afërsisht 230 mijë dollarë).


Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfituese jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp", thekson në njoftim Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave.


AKKP njofton gjithashtu subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim. Në rreth 15 vendime të Këshillit të Ministrave (qeverisë 'Berisha') lidhur me kompensimet e pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, deri tani është ndarë vetëm 57% e fondit për 11 vendime./Ballkanweb


Më të lexuarat