Fondet IPARD III mbeten të bllokuara, BE kërkon plotësimin e kushteve për financimin e bujqësisë
Shqipëria nuk ka përmbushur ende të gjitha kushtet për administrimin e fondeve IPARD III.

Komisioni Europian kërkon forcimin e kontrollit financiar dhe kapaciteteve institucionale, ndërsa programi parashikon 146.4 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Fondet e programit IPARD III për mbështetjen e bujqësisë shqiptare mbeten të paaktivizuara, pasi vendi duhet të përmbushë ende kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për administrimin dhe kontrollin e financimeve.
Në Raportin e Progresit për vitin 2026, Komisioni Europian kërkon forcimin e sistemeve të menaxhimit financiar, kontrollit dhe kapaciteteve administrative, përpara se Shqipërisë t'i besohet përgjegjësia për zbatimin e buxhetit të programit IPARD III.
Sipas raportit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur dy kërkesa për marrjen e përgjegjësisë së administrimit të fondeve, përkatësisht më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, Komisioni thekson se vendi duhet të garantojë përmbushjen e të gjitha parakushteve, në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.
Kërkesat lidhen me aftësinë e institucioneve shqiptare për të administruar financimet europiane, për të kontrolluar shpërndarjen e tyre dhe për të garantuar përdorimin e fondeve sipas rregullave të miratuara.
BE kërkon forcimin e sistemeve të kontrollit dhe administrimit
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparime në ngritjen e strukturave për administrimin e mbështetjes bujqësore, por kapacitetet teknike dhe njerëzore mbeten të pamjaftueshme.
Një nga detyrat kryesore është zhvillimi i Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), i cili shërben për identifikimin e përfituesve, verifikimin e të dhënave dhe kontrollin e financimeve që u jepen fermerëve.
Regjistri i fermave nuk është përafruar ende plotësisht me kërkesat e Bashkimit Europian, ndërsa Sistemi i Identifikimit të Parcelave Bujqësore (LPIS) vazhdon të jetë në proces zhvillimi.
Për ngritjen e sistemit të identifikimit të parcelave është parashikuar një financim prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2028. Sipas raportit, deri tani janë realizuar dy ushtrime pilot për verifikimin e parcelave, identifikimin e deklarimeve të mbivendosura dhe kontrollin e cilësisë së të dhënave.
Ndërkohë, Shqipëria po përgatit planin për ngritjen e agjencisë së ardhshme të pagesave, një tjetër strukturë e rëndësishme për administrimin e mbështetjes bujqësore sipas modelit europian.
Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e mekanizmave për parandalimin, zbulimin dhe raportimin e parregullsive financiare, me qëllim mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian.
IPARD II dhe III, rreth 240 milionë euro financime të programuara
Programi IPARD është instrumenti i Bashkimit Europian për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendet kandidate për anëtarësim. Shqipëria nisi përgatitjet përmes skemës pilot IPARD-like gjatë viteve 2012–2013, ndërsa zbatimi i programit IPARD II u autorizua në tetor 2018.
IPARD II, për periudhën 2014–2020, kishte një financim publik të parashikuar prej 94 milionë eurosh, nga të cilat 71 milionë euro fonde të Bashkimit Europian dhe 23 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti shqiptar.
Financimet u orientuan kryesisht drejt modernizimit të fermave, investimeve në makineri dhe pajisje, përpunimit agro-ushqimor dhe zhvillimit rural.
Megjithatë, në korrik 2023, Komisioni Europian ndërpreu rimbursimet e programit IPARD II, pas shqetësimeve lidhur me administrimin dhe kontrollin e fondeve.
Programi pasardhës IPARD III, për periudhën 2021–2027, parashikon 146.4 milionë euro financim publik, nga të cilat 112 milionë euro janë fonde të BE-së dhe 34.4 milionë euro kontribut i qeverisë shqiptare.
Financimi i parashikuar për IPARD III është rreth 55% më i lartë krahasuar me programin e mëparshëm.
Në total, programet IPARD II dhe IPARD III përfaqësojnë rreth 240 milionë euro financime publike të programuara, përfshirë 183 milionë euro nga Bashkimi Europian. Këto shuma përfaqësojnë fondet e planifikuara dhe jo financimet e disbursuara.
Përmbushja e kushteve të kërkuara nga Komisioni Europian mbetet vendimtare për aktivizimin e financimeve IPARD III, të cilat synojnë mbështetjen e investimeve në modernizimin e fermave, përpunimin e produkteve bujqësore dhe zhvillimin e ekonomisë rurale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)