209 mln lekë për transportin publik, kompensim 50 lekë për litër naftë për 5 muaj
Qeveria miraton 209 milionë lekë për kompanitë e transportit publik. Kompensimi do të jetë 50 lekë për litër karburant, ndërsa aplikimet mbyllen më 16 nëntor.

Qeveria ka miratuar një fond prej 209 milionë lekësh për kompensimin e shoqërive të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, si masë mbështetëse për përballimin e kostove të karburantit në kushtet e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kompanitë e transportit publik do të përfitojnë kompensim prej 50 lekësh për çdo litër karburanti të konsumuar gjatë një periudhe pesëmujore, nga qershori deri në tetor 2026.
Mbështetja financiare do të jepet për konsumin e dokumentuar të karburantit, por sasia e njohur për kompensim nuk mund të tejkalojë 110% të konsumit mesatar mujor të regjistruar gjatë periudhës mars–maj 2026.
Kjo periudhë do të shërbejë si bazë reference për secilën kompani, me qëllim shmangien e deklarimeve të fryra. Në këtë mënyrë, kompensimi do të lidhet me konsumin e mëparshëm të operatorëve dhe jo vetëm me sasitë e karburantit të blera gjatë muajve për të cilët jepet mbështetja.
Afati i aplikimit deri më 16 nëntor 2026
Vendimi përcakton se kërkesat për kompensim duhet të paraqiten pranë administratës tatimore ku është regjistruar secila kompani, vetëm një herë dhe pas përfundimit të periudhës pesëmujore.
Aplikimet mund të dorëzohen pas datës 10 nëntor 2026, ndërsa afati përfundimtar është 16 nëntori. Kjo u lë operatorëve gjashtë ditë kalendarike, nga 11 deri më 16 nëntor, për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm.
Për të përfituar kompensimin, kompanitë duhet të dorëzojnë licencën e vlefshme të transportit, të dhënat e identifikimit tatimor, numrin e llogarisë bankare në lekë dhe faturat e furnizimit me karburant për periudhat mars–maj dhe qershor–tetor 2026.
Për shoqëritë që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera ekonomike, përveç transportit të udhëtarëve, kërkohet dokumentacion shtesë. Këta operatorë duhet të vetëdeklarojnë sasinë e karburantit të përdorur për transportin publik, duke paraqitur faturat e blerjes dhe fletëdaljet e karburantit sipas targave të automjeteve.
Në rastet kur një operator nuk ka ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars–maj 2026, konsumi mesatar referues do të llogaritet mbi muajt e plotë gjatë të cilëve ka qenë aktiv, bazuar në dokumentacionin e verifikuar.
Verifikimi i dokumenteve dhe afatet e pagesës
Administrata tatimore do të ketë të drejtë të kryejë kontrolle në vend në rastet kur konstatohen pasaktësi ose mospërputhje në dokumentacionin e paraqitur nga operatorët.
Nëse dokumentet rezultojnë të paplota, kërkesa do t'i kthehet kompanisë për plotësim brenda pesë ditëve pune.
Pas përfundimit të verifikimit, administrata tatimore duhet të përcjellë urdhërshpenzimet në degën përkatëse të Thesarit brenda 15 ditëve pune. Thesari, nga ana tjetër, duhet të kryejë pagesën brenda pesë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit përkatës.
Fondi i miratuar për këtë skemë kompensimi është 209,022,872 lekë dhe do të përballohet nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kompensimi nuk shoqërohet me detyrim për uljen e çmimit të biletave
Vendimi i qeverisë nuk përcakton numrin e kompanive që pritet të përfitojnë nga fondi prej 209 milionë lekësh dhe as mënyrën e shpërndarjes së tij ndërmjet operatorëve të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.
Gjithashtu, kompensimi është parashikuar si mbështetje financiare për operatorët e transportit publik dhe nuk shoqërohet me një detyrim të shprehur për uljen e çmimit të biletave për qytetarët.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)