Programi i strehimit, 4 mijë kredi të buta për të rinjtë dhe familjet e reja
Qeveria parashikon 4 mijë kredi të buta, garanci sovrane për blerjen e banesave dhe subvencionimin e qirasë për 3 mijë familje.

Qeveria synon të lehtësojë aksesin në strehim përmes një programi të ri që parashikon kredi të buta, garanci sovrane për mbulimin deri në 100 për qind të vlerës së apartamentit dhe subvencionimin e qirasë për 3 mijë familje. Programi do të mbështesë familjet me të ardhura të pamjaftueshme, të rinjtë, familjet e reja, prindërit e vetëm dhe emigrantët e rikthyer në Shqipëri.
Blerja e një banese po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme për qytetarët shqiptarë, ndërsa çmimet e apartamenteve po rriten disa herë më shpejt se pagat. Përballë kësaj situate, qeveria ka parashikuar mbështetjen e 7 mijë familjeve përmes skemave të kredive të buta dhe subvencionimit të qirasë.
4 mijë kredi të buta, me interes zero për banesat deri në 60 mijë euro
Sipas programit, 4 mijë familje do të përfitojnë kredi të buta për blerjen e banesave. Për apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro, norma e interesit do të jetë zero për qind, ndërsa për apartamentet me vlerë mbi 60 mijë euro do të aplikohet një normë interesi prej 3 për qind.
Një tjetër element i programit lidhet me kriterin e kolateralit. Aktualisht, afro 60 për qind e apartamenteve blihen përmes kredive bankare, të cilat mbulojnë mesatarisht 60 deri në 80 për qind të vlerës së pronës. Pjesën e mbetur qytetarët duhet ta sigurojnë nga kursimet e tyre.
Me skemën e re të strehimit social, ky kriter nuk do të jetë më i detyrueshëm, pasi parashikohet që qytetarët të mund të marrin kredi deri në 100 për qind të vlerës së apartamentit. Pjesa e kolateralit do të mbulohet përmes një garancie sovrane nga shteti.
Në këtë mënyrë, nëse një i ri apo një familje nuk ka kursimet e nevojshme për të mbuluar pjesën e vlerës së banesës që zakonisht nuk financohet nga banka, shteti do të ndërhyjë përmes garancisë sovrane ose një instrumenti tjetër financiar që mundëson marrjen e huasë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Report TV, shteti do të krijojë gjithashtu një bazë të dhënash me apartamentet e disponueshme në treg me çmime të ulëta, për t'i vënë në dispozicion të qytetarëve që synojnë të përfitojnë nga programi.
Subvencionim deri në 50 për qind të qirasë për 3 mijë familje
Pjesë e programit do të jetë edhe subvencionimi i qirasë për 3 mijë familje. Mbështetja financiare do të mbulojë deri në 50 për qind të vlerës së qirasë, sipas një vlere që do të përcaktohet nga Këshilli Bashkiak.
Përmes një platforme elektronike do të listohen pronat e disponueshme për qira, ndërsa Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kategoritë e përfituesve dhe kohëzgjatjen e subvencionimit.
Kush do të përfitojë nga programi i strehimit?
Sipas projektligjit, që pritet të miratohet gjatë këtij muaji në Kuvend, nga programi do të përfitojnë familjet me të ardhura të pamjaftueshme, të rinjtë deri në 29 vjeç që kanë përfunduar arsimin e mesëm, profesional ose universitar dhe ndodhen në pesë vitet e para të punësimit, familjet e reja, familjet me një prind dhe emigrantët e rikthyer në vend.
Pas miratimit të ligjit dhe plotësimit të kuadrit me aktet përkatëse nënligjore, thirrjet për aplikim pritet të hapen në fillim të vitit 2027, si për kreditë e buta, ashtu edhe për subvencionimin e qirasë.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






k.jpg)