Secondary Adv

Planet vendore, ja sesi duhet ti zbatojne bashkite

Me miratimin e planeve të përgjithshme Vendore, 43 prej të cilave do të jenë gati për 43 bashki deri në fund të vitit 2017, rriten edhe përgjegjësitë e bashkive lidhur me procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

 

Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Zhvillimit Urban ka detajuar mënyrën se si bashkitë duhet të veprojnë për dhënien e këtyre lejeve, në kuadër të zbatimit të planit vendor për secilën bashki. Udhëzimi është i vlefshëm edhe për bashkitë, të cilat ende nuk kanë një plan vendor por që do ta kenë ata në të ardhmen.

 

Sipas këtij udhëzimi brenda datës 5 të çdo muaji, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si autoritet përgjegjës, përgatit dhe i dërgon Ministrisë së Zhvillimit Urban raportin mujor të zhvillimeve në territor që përmban të dhëna mbi lejet e zhvillimit dhe lejet e ndërtimit të miratuara nga Bashkitë gjatë muajit paraardhës, si dhe kushtet zhvillimore përkatëse në raport me përcaktimet e PPV-ve. Raporti evidenton, në një seksion të veçantë, lejet e ndërtimit të miratuara në tokë të ndërtueshme të kategorive të resurseve tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll ose kullotë, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor, si dhe sipërfaqet e miratuara për ndërtim.

 

Në rast se bashkitë miratojnë, në përputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor, leje ndërtimi në tokë të kategorive të resursit “tokë natyrore”, “pyll” ose “kullotë”, Ministria e  Zhvillimit Urban ndjek procedurat ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndryshimin e këtyre kategorive, duke bashkërenduar punën me autoritetet përgjegjëse.

 

Ndërkohë, sa i takon bashkive, me miratimin e PPV-ve, (Planit të përgjithshëm vendor), ato hartojnë dhe miratojnë:
Projektet e infrastrukturës dhe të hapësirës publike, PDV-të, dhe/ose studime të thelluara që përmbajnë informacionin e nevojshëm për saktësinë e zbatimit të gjurmës së infrastrukturës përkatëse për territoret e zëna me ndërtime pa leje. Bashkia njofton zyrtarisht ALUIZNI-n për projektet, PDV-të dhe/ose studimet e miratuara për këto territore. Në rastet kur bashkitë nuk e kanë përgatitur këtë dokumentacion, ALUIZNI i merr vendimet mbi bazën e procesit të bashkërendimit institucional, përfshirë bashkërendimin me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Sipas këtij udhëzimi, bashkitë duhet të dërgojnë pranë ministrisë brenda datës 31 maj 2017 listën e formularëve të lejeve të ndërtimit të lëshuara, përfshi këtu edhe nga ish-komunat.


Më të lexuarat