Egjipti, hedh syte nga Ballkani per gazin, perfshi ketu edhe Shqiperine
Egjipti është duke parë me kujdes mundësitë që ofron rajoni i Mesdheut për industrinë e gazit, veçanërisht tani që shteti po përgatitet për të reformuar sektorin dhe për të rritur investimet. Strategjia e re u prezantua në Kajro, ku u diskutua edhe pavarësia që duhet të kenë autoritetet rregullatore si dhe modelet e tregjeve të gazit.
Takimi u bë i mundur nga Egyptian Gas Holding Company EGAS dhe në të morën pjesë përfaqësues të delegacionit të BE-së, por edhe nga Shqipëria ( ERE) dhe Turqia ( EMRA). Shqipëria prezantoi modelin që po zbaton për të ngritur tregun e gazit, zhvillimin e tarifave për licencimin e operatorëve që po interesohen, si dhe ndryshimet që po ndodhin. Interesimi i institucioneve egjiptiane për tregun e gazit të rajonit të Mesdheut, por edhe të Ballkanit vjen menjëherë pas zbulimit që u bë në fushën Zohr e që pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në këtë rajon.
Edhe Portugalia e Greqia paraqitën modelet e tyre të rregullimit të tregut të gazit si dhe karakteristikat e veçanta. Së fundmi, Greqia përmes operatorit të saj shtetëror DEFSA, po synon të jetë prezent edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të projektit TAP, do të zhvillohet tenderi për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit. Duket se së bashku me kompaninë shqiptare të sapo krijuar AlbGas edhe DEFSA do të shfaqë interes, kjo tregohet edhe nga memorandumi i bashkëpunimit që u firmos pak ditë më parë.Si Shqipëria, ashtu edhe Turqia, Egjitpi, Portugalia apo edhe Greqia janë pjesë e Mediterranean Energy Regulators (MEDREG) në të cilin marrin pjesë në total 25 ente rregullatorë nga 21 shtete ( BE-ja, Ballkani dhe Afrika e Veriut).