
Strategjia e investimeve 2014-2020
Lehtësi proceduriale e ligjore, vijim i aplikimit të nismës “Shqipëria 1 euro”, rregullim i çështjeve të pronësisë etj, janë disa nga pikat kryesore të strategjisë së re për biznesin dhe investimet 2014-2020.
Miratohet strategjia kombëtare për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në vend për vitet 2014-2020. Përfshihen thjeshtimet administrative, reformat tatimore si edhe qeverisja elektronike
Hartohet strategjia kombëtare për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në vend për vitet 2014- 2020. Në të përfshihen thjeshtimet administrative, reformat tatimore si edhe qeverisja elektronike. Në thjeshtimet administrative Qendra Kombëtare e Regjistrimit ka rolin që regjistrimi në QKR bëhet brenda një ditë pune dhe me një kosto minimale prej 100 lekësh ose (0.81 euro).
Regjistrimi me një sportel të vetëm do të ofrohet në 32 zyra në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim thjeshtimin në maksimum të procedurës së regjistrimit. Qendra Kombëtare e Licencimit është një tjetër institucion i cili do të funksionojë si “one stop shop”. Licencat e grupit I dhe II jepen nga QKL-ja brenda 2-4 ditëve. Licencat e grupit III, të cilat iu janë kaluar ministrive përkatëse, kërkojnë nga 10-30 ditë procedura licencimi.
Reforma tatimore
Qeveria miratoi paketën fiskale me ligjin 179/2013, që ka si objektiv kryesor ka ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe vazhdimin e reformave strukturore, për të krijuar kushtet e nevojshme për ekonominë në kuadër të rritjes potenciale. Kjo politikë fiskale është orientuar drejt rimëkëmbjes së rritjes ekonomike të vendit në potencialin e saj. Hartimi i politikës fiskale është konsultuar ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB).
Në këtë paketë janë prezantuar një numër masash, të tilla si: Tatimi mbi të ardhurat personale nga 0- 23 për qind, tatimi mbi fitimin e kompanive në 15 për qind, tatimi për bizneset me një vlerë xhiro vjetore prej 2-8 milionë lekë, ka një shkallë tatimore prej 7,5 për qind. Tatimi për bizneset e vogla me një vlerë xhiro vjetore më pak se 2 milionë lekë, është 25 mijë lekë në vit. Heqja e TVSH-së në sektorin e shëndetësisë dhe për ilaçet është një pjesë tjetër e reformës tatimore. Gjithashtu importi i makinerive dhe pajisjeve të bëra me ndërmjetësimin e kompanive të lizingut i nënshtrohet përjashtimit nga tatimi mbi vlerën e shtuar etj., janë masa të rëndësishme që do të ndikojnë gjithnjë krijimin e një klime nxitëse për ndërmarrjet vendore dhe të huaja.
Qeverisja elektronike
Lidhur me thjeshtimin e procedurave të bërjes biznes, me mbështetjen edhe të Marrëveshjes së Sfidës së Pragut të Mijëvjeçarit (MCATA), të administruar nga USAID, është konsideruar progres në veprimtarinë e administratës publike në katër fusha kryesore: prokurimin publik, regjistrimin e biznesit,administrimin e taksave dhe licencimin.
Shërbimi online për deklarimin dhe pagesën e taksave, shërbimeve këto, të ofruara nga autoritetet tatimore u është shtuar gjithashtu deklarimi online i listë pagesave, kontributeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi i punonjësve të rinj, atyre të punësuar rishtazi dhe të larguarave nga puna. Pjesë e procedurës online është edhe deklarimi i pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi i vogël.
Prokurimi online
Që nga fillim viti 2009 të gjitha llojet e prokurimeve publike zhvillohen online. Sistemi elektronik i prokurimit publik (www.app.gov.al) përmban të gjithë dokumentacionin për marrjen pjesë në tender, ku të gjitha sistemet operative, përfshirë shkarkimin e dokumenteve dhe dorëzimin elektronik të ofertave dhe propozimeve për tender bëhen falas.
Me kompjuterizimin e të gjitha pikave doganore dhe përdorimin e programit ASYCUDA shërbimi ndaj biznesit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, duke reduktuar kohën e kryerjes së kontrollit të dokumentacionit dhe atë të mallrave. Që nga viti 2010 deklaratat doganore përpunohen duke përdorur 100 për qind të kohës sistemin online që shtrihet në të gjithë territorin doganor. Gjatë viteve të fundit Qeveria ka ndërmarrë politika nxitëse mbi zhvillimin e teknologjisë së informacionit që nga shkollat e deri te sipërmarrjet për të rritur konkurueshmërinë e bizneseve Shqiptare në tregun rajonal dhe atë global. Gjithashtu, vlen të përmendet krijimi i portalit unik qeveritar ealbania.al në kuadër të lehtësimit të procedurave për e-shërbimet.
Më të lexuarat








