Asnje leje ndertimi ne 8 nga 12 qarqet e Shqiperise
Ç’po ndodh me ndërtimin në Shqipëri? Vetëm 4 nga 12 qarqe në total kanë raportuar se kanë dhënë leje ndërtimi për tremujorin e dytë të vitit 2014. Mungesa e planeve urbanistike, prishjet edhe të ndërtimeve me leje ose të legalizuara që bien ndesh me planet urbanistike por edhe problemet me raportimin dhe metodologjinë e përdorur shpjegojnë pjesërisht faktin se zyrtyarisht 8 qarqe në Shqipëri nuk kanë dhënë asnjë leje ndërtimi për tremujorin e dytë duke e futur sektorin e ndërtimit në një krizë të thellë dhe me ndikim të fortë në rritjen ekonomike.
Ndryshe nga Tirana ku në çdo lagje, sidomos ato me shtëpi të vjetra karakteristike, gjen mure që qarqojnë gropat e pallatave pas lejeve të reja të dhëna me miratimit të planit urbanistik, në shumë qarqe nuk raportohet asnjë leje ndërtimi. Të paktën sipas të dhënave të INSTAT të publikuar së fundi për treguesit e rritjes ekonomike.
Qarqet pa leje ndertimi
Qarqet e Dibrës, Durrësit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës dhe Shkodrës nuk kanë raportuar asnjë leje të re ndërtimi për tremujorin e dytë të këtij viti duke ulur ndjeshëm numrin e lejeve të ndërtimit në total në 39 nga 58 që ishte tremujorin e parë të këtij viti dhe nga rekordi prej 210 lejesh ndërtimi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Rrudhja më e madhe e sektorit të ndërtimit duket se ka ndodhur në Durrës ku nga 77 leje të dhëna në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, Bashkia Durrësit ka dhënë vetëm një leje në tremujorin e parë të këtij viti dhe asnjë leje për tremujorin e dytë. Sipas Instat, ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2014 vlerësohet me rënie prej 0,61 %(sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto (V.SH.B)) kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2013 dhe kontributin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë degët e ekonomisë si ndërtimi me -2,79 pikë përqind, transporti me -0,73 pikë përqind dhe industria me -0,20 pikë përqind./Monitor