Tatimet, mbi 75 mije urdhra bllokimi ndaj llogarive te bizneseve me 2016, arketuan 46 mln euro
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, qysh vitin e kaluar ka zbatuar një strategji që synon të mbledhë nëpërmjet forcës borxhin tatimor që bizneset kanë akumuluar ndër vite ndaj institucionit.
Në shërbim të këtij qëllimi, gjatë vitit të kaluar, Tatimet lëshuan 75,466 urdhra për bllokimin e llogarive bankare ndaj bizneseve debitore. Pas këtij aksioni u arkëtuan rreth 6.2 miliardë lekë ose 45 milionë euro.Tatimet kanë marrë një shumë të konsiderueshme nga borxhi i prapambetur, prej 4.5 miliardë lekësh vetëm nga njoftimi që kanë bërë ndaj bizneseve debitore.
Për vitin 2016 rezulton tepër efektiv në arkëtime sensibilizimi i subjekteve për të paguar edhe vetëm nëpërmjet njoftimit dhe kërkesës për të paguar (34% e pagesave), edhe pse rezultati më i lartë i pagesave ka rezultuar pas urdhër bllokimeve të llogarive bankare në masën 47%.Gjatë vitit 2016, Tatimet kanë arkëtuar gjithsej nga borxhi rreth 13.4 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro. Kjo shumë është gati sa një e dhjeta e borxhit tatimor që është kontabilizuar aktualisht.
Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i bizneseve në tatime në fund të vitit 2016 arriti në më shumë se 147 miliardë lekë (1.07 miliardë euro). Kjo shumë zotërohet nga mbi 780 mijë biznese dhe individë në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, stoku i borxhit, deri në fund të 2016 përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vjet, me një peshë prej 34% të totalit të borxhit.Mundësi potencialisht më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale, është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit, referojnë Tatimet.