Secondary Adv

Guvernatori Sejko: Zgjatja e tensionit politik, pasoja ne ekonomi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha dje se zgjatja e krizës politike do të reflektojë edhe në klimën ekonomike. Guvernatori Sejko pohoi se vazhdimi i krizës do të dëmtojë besimin e investitorëve, por edhe të qytetarëve. Sejko i bëri deklaratat pas prezantimit në Komisionin e Ekonomisë së raportit të 2016-s. Sipas Sejkos, zgjatja e tensionit politik do të sillte rishikim në rënie të ekonomisë.


“Ne do të monitorojmë zhvillimet e mëtejshme, por në parim, në rast se ka zgjatje të tensionit politik, natyrisht që kjo nuk do të ndihmonte, por do të ndikonte në nivelin e investimeve dhe iniciativave, kryesisht në besimin e konsumatorit dhe në besimin për investimet e kryera. Ne po monitorojmë situatën dhe po shikojmë ndikimin që mund të ketë situata politike. Në rast se do të ketë një zgjatje të tensionit politik, natyrisht që do të ketë një rishikim ekonomik në rënie”, u shpreh Sejko.


Guvernatori u shpreh optimist për kapërcimin e situatës dhe siguroi se deri tani nuk ka shmangie të parametrave ekonomikë. “Aktualisht, nuk kemi ndryshime apo shmangie në parametrat makroekonomike që po monitorojmë, pra në nivelin e kreditimit, në nivelin e rritjes ekonomike etj. Të shikojmë edhe si do të evoluojë situata politike. Unë kam besim se gjërat do të kthehen në drejtimin e duhur”, u shpreh Sejko.


Euro
Ulja e përdorimit të euros në ekonomi do të arrihet me rritjen e dhënies së kredisë në lekë. Guvernatori Sejko shpjegoi se zbatimi i memorandumit për uljen e përdorimit të euros në vend synon stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e kredisë.“Banka e Shqipërisë synon të rrisë përdorimin e lekut për rritjen efikasitetit të politikës sonë monetare, pra të kemi një transmetim më të mirë të politikës monetare si instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Synimi i dytë lidhet me stabilitetin financiar. Ne duam të kemi kredidhënie më të madhe në monedhën vendëse për të shmangur riskun e kursit të këmbimit në kthimin e kredisë, pra të krijojmë stabilitet financiar në sistemin financiar. Për këto dy arsye, Banka e Shqipërisë synon të bëjë le të themi ‘një luftë kundër euroizimit’, një ulje graduale të përdorimit të euros dhe një rritje të përdorimit të lekut në ekonomi”, shpjegoi Sejko.


Rritja ekonomike
Për vitin 2016 ekonomia u rrit 3.5 për qind. Guvernatori Sejko shpjegoi se rritja u mbështet nga investimet dhe konsumi privat. Sektorët që shënuan rritjen më të lartë kanë qenë ndërtimi dhe shërbimet.“Viti 2016 u karakterizua nga zhvillime ekonomike pozitive dhe nga përmirësime në disa nga balancat kryesore makroekonomike. Sipas Institutit të Statistikave, ekonomia shqiptare u rrit me 3.5% gjatë vitit 2016, në përshpejtim krahasuar me normën 2.6% të rritjes së shënuar në vitin 2015. Rritja e ekonomisë buroi kryesisht nga kërkesa e brendshme, investimet dhe konsumi privat dhe gjeti pasqyrim në masën më të madhe në zgjerimin e aktivitetit të sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit”, u shpreh Sejko.


Më të lexuarat