Secondary Adv

Ish-te perndjekurit, Ahmetaj: Celet kesti i 8 i demshperblimit

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më herët, java e tretë e këtij muaji do të shënojë edhe fillimin e shpërndarjes së këstit të tetë për ish-të përndjekurit që jetojnë. Ministri Arben Ahmetaj ka firmosur dje urdhrin për lëvrimin e kësaj pagese që e çon në stacionin e fundit procesin e dëmshpërblimit për kategorinë parësore.


Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ahmetaj solli në vëmendje këstet e ndara për të dënuarit që janë gjallë në harkun e 7 viteve të fundit. Duke bërë një krahasim me qeverinë e kaluar, ai vë në dukje se fondi i ndarë pas miratimit të ndryshimeve ligjore është 4-fish më i lartë.“Ministria e Financave ka çelur këstin e tetë dhe të fundit për ish-të dënuarit politikë të kategorisë parësore, duke përmbyllur kështu me sukses një cikël të rëndësishëm që mbi të gjitha, është shprehje e drejtpërdrejtë e vë- mendjes dhe përkujdesit social të një qeverie ndaj atyre në nevojë.


Në 2009-2013, qeveria e vjetër shpërndau vetëm dy këste për kategorinë parësore, ose 1.47 miliardë lekë. Në tri vitet e fundit ne çelëm 6 këste, ose 5.8 miliardë lekë, pra katër herë më shumë”, ka shkruar Ahmetaj. Prej kësaj të hëne, sektori i pagave dhe dëmshpërblimeve do të nisë edhe shqyrtimin e dosjeve, për të bërë të mundur më pas kalimin e parave në bankë për secilin prej përfituesve.


Përfituesit
Edhe pse është praktikisht e pamundur që me fondin e këtij viti të përmbyllet procesi i dëmshpërblimit për të dënuarit që jetojnë, një pjesë prej tyre do të kenë mundësi që të marrin këstin e tetë, duke mbyllur kështu një prej plagëve të lëna nga regjimi diktatorial. Aktualisht janë rreth 1650 të dënuar që bëjnë pjesë në kategorinë parësore. Ashtu si edhe një vit më parë, për dëmshpërblimin e tyre është vënë në dispozicion 70 për qind e fondit vjetor të alokuar nga buxheti i shtetit, ose thënë ndryshe 14 milionë dollarë.


Trashëgimtarët
Pjesa e mbetur e fondit, pra 6 milionë dollarë, është adresuar për trashëgimtarët. Në muajin prill, Ministria e Financave ka publikuar edhe emrat e rreth 300 ish-të përndjekurve, dosjet e të cilëve janë gati për pagesë, por procesi është ndalur për shkak të mangësive në dokumentacion.Familjarët duhet që paraprakisht të dorëzojnë pranë sektorit të pagave dhe dëmshpërblimeve kopje të letërnjoftimit, numër llogarie, certifikatë vdekjeje, certifikatë e trungut familjar, dëshmi trashëgimie dhe prokurë.


“Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit politikë duhet të konfirmojnë në bankat përkatëse numrin e llogarisë bankare nëse është aktiv. Nëse nuk është aktiv, të hapin një numër të ri llogarie bankare, të cilin ta dërgojnë në sektorin e pagave dhe dëmshpërblimeve, duke shënuar numrin e dosjes të ish-të dënuarit politik”, thuhet në njoftimin e Financave. Nga radhët e trashëgimtarëve mësohet se janë rreth 450 dosje që nuk janë trajtuar me këst të dytë.
Sakaq ende nuk ka asnjë informacion mbi fillimin e mundshëm të këstit të tretë, që me shumë gjasë do të duhet të kalojë edhe një vit tjetër kalendarik për t’i hapur udhë kësaj pagese.Ka vetëm një mundësi që kjo të ndodhë në muajt në vijim, nëse ata të cilët janë njoftuar për këst të dytë nuk paraqiten brenda 3 muajve për të plotësuar dokumentacionin. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë fondi i mbetur do të përdoret për hapjen e këstit të tretë për trashëgimtarët.


Më të lexuarat