Secondary Adv

BERZH: Shqiperia, me rritjen me te shpejte ekonomike

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është optimiste për ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe në vitin 2017. Projeksionet e saj mbetën të pandryshuara. Sipas raportit më të fundit të Bankës, Shqipëria do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon gjatë këtij viti dhe atij pasardhës, së bashku me Kosovën.

 

Por, ky raport, i publikuar pak ditë më parë, e vë theksin edhe te rreziqet politike që kanë mbërthyer vendet e analizuara ku banka operon, duke nënvizuar se ato “minojnë” rimëkëmbjen ekonomike.Sipas BERZH-it, performanca ekonomike e Shqipërisë u përmirësua në vitin 2016. Rritja ishte rreth 3.5% nga 2.6% që ishte në vitin 2015, duke u ndikuar nga konsumi privat dhe investimet e huaja. Shpenzimet publike u rritën në mënyrë të moderuar pas një tkurrjeje të ndjeshme në vitin paraardhës. Vlera neto e eksporteve gjithashtu pati kontribut pozitiv edhe pse të vogël, veçanërisht në shërbime dhe turizëm.


Investime të ndryshme në sektorin e energjisë janë duke u zbatuar, gjë e cila ndikon në rritjen ekonomike të vendit. Kompanitë shtetërore të sektorit të energjisë si KESH dhe OSHEE janë duke iu nënshtruar reformës, gjë që do të garantojë rritjen e këtij sektori në terma afatgjatë.Politika fiskale e ndjekur nga qeveria ka qenë e kujdesshme, ndërsa në shkurt të këtij viti u mbyll edhe programi trevjeçar i FMN-së. Norma e inflacionit ishte 1.3% në vitin 2016 nën targetin e Bankës së Shqipërisë që kuotohet në 3%. Politika monetare është e qëndrueshme dhe norma bazë është në nivelin më të ulët historik në 1.25% që nga maji 2016.


Parashikimi në terma afatmesëm është pozitiv, megjithatë, sipas BERZH, rreziqet e brendshme janë domethënëse. Rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.5% në vitin 2017, me rritje në 3.7% në 2018-n kjo për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme dhe investimeve të huaja, kryesisht nga ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatic Pipeline (TAP).


Tensionet
BERZH sjell në vëmendje skenarin maqedonas, ku kaosi politik ka sjellë një fernim të zhvillimit ekonomik. Projeksionet për këtë vend janë rishikuar me tendencë në ulje, në 2.4% gjatë këtij viti, nga 3% që parashikohej më parë. Edhe Mali i Zi është rishikuar me 0.5 pikë përqindje më ulët nga 3.5% që projektohej në muajin nëntor të vitit të kaluar. Kurse Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë – Hercegovina janë tre ekonomitë për të cilat parashikimi nuk ka ndryshuar. Ndërsa për Serbinë, banka është treguar ndjeshëm më optimiste se më parë. “Projeksionet ekonomike për rajonin mbeten të lidhura ngushtë me terrorizmin, tensionet gjeopolitike dhe krizën e refugjatëve”, thuhet në raport.


Më të lexuarat