Secondary Adv

Grafiket, ja si eshte rritur ekonomia e Shqiperise, qe nga vitet 80

Në 37 vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka shënuar ulje ngritje të shumta përgjatë dekadave. FMN ka publikuar të dhënat për ecurinë e rritjes ekonomike reale dhe prodhimit të brendshëm bruto (PBB) nominal (të parregulluar me inflacionin), nga viti 1980 dhe pritshmëritë deri në 2022.


Në 10 vitet e fundit të diktaturës, vendi ka njohur një rritje minimale, që nuk ka arritur as në 6%, ku periudha më të mirë ishte në 1981 dhe 1986, me përkatësisht 5.6 dhe 5.7%, ndërsa në vitin e fundit para ndryshimit të sistemit arriti në 8.9%. Viti më i keq i dekadës së fundit të diktaturës ishte 1985-a, kur ekonomia ra me -1.5%.

Menjëherë me ardhjen e demokracisë, ekonomia ra ndjeshëm, me -10% në vitin 1990 dhe një rekord prej -28% në 1991. Më pas filloi rimëkëmbja graduale dhe rritja e shpejtë për të arritur në rreth 9% në 1994-1996. Gjithçka u përmbys në vitin e mbrapshë 1997, kur pas krizës së piramidave dhe konflikteve civile ekonomia bëri një kthim mbrapa, duke rënë me 7.2%.


Pavarësisht se vlerësohet që shqiptarët humbën rreth 2 miliardë dollarë në piramida, ekonomia u rimëkëmb shpejt pas 1997-s, për të arritur në vitin 1999 në 12.9%, që është dhe zgjerimi më i lartë i pas-tranzicionit i arritur deri më sot, ndonëse duhet përmendur që nisej nga një bazë e ulët.Vitet 2000-2008 u karakterizuar nga një rritje ciklike pozitive, përgjithësisht e kënaqshme midis 6-8%, por më pas vendi u godit nga kriza ekonomike financiare që nisi në SHBA dhe u përhap në gjithë botën, por dhe ekonomia vendase filloi të vuante problemet ciklike të maturimit të shumë sektorëve dhe domosdoshmërisë për të kaluar në një model të ri zhvillimi.


Viti 2013 ka pasur dhe rritjen më të ulët që nga 1997-a, me vetëm 1%. Më pas erdhi gjallërimi, por jo më shumë se 3.4% në vitin 2016.Gjithsesi, rritja e ulët mes 3 dhe 4% duket se është kthyer në një normalitet të ri, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin.FMN nuk pret që ekonomia shqiptare të rritet më shumë se 1.1% deri në vitin 2022. Lidhur me prodhimin e brendshëm bruto nominal, në vlerë absolute ai tejkaloi fundin e viteve ’80 vetëm në 1999-n. Pas 1997-s, PBB nominale është rritur me shpejtësi, për t’u ngadalësuar në 2009-2014 dhe për të rënë me ritmet më të larta në 2015-s. Deri në vitin 2022, FMN parashikon një përshpejtim të rritjes së PBB nominale (të pa indeksuar me inflacionin).


Më të lexuarat