Ja sa u ble INSIG JETE nga Samir Mane dhe Shefqet Kastrati
Është zyrtarizuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) transaksioni i shitjes së 90% të aksioneve nga Eurosig tek dy sipërmarrësit Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.
Sipas transaksionit të regjistruar në datën 26 maj, është bërë depozitimi i vendimit te shoqërisë Insig Jete sh.a, datë 10.05.2017 ku është vendosur : -Shitja e 90 % te kuotave të shoqërise nga ortaku EUROSIG SHA në favor te Shefqet Kastrati (45%) dhe Samir Mane (45%). Depozitimi i shoqërisë EUROSIG SHA, date 24.04.2017. 10% të aksioneve do të vijojnë të jenë në pronësi të Eurosig.
Në kontratën e shitjes së aksioneve, specifikohet se Blerësi do t’i paguajë shitësit një shumë totale prej 473,305,500 lekë, ekuivalente në euro 3.5 milionë euro, me kursin prej 135.23 lekë.Kësti i parë prej 20 milionë lekë (10 milionë lekë nga secili blerës) është paguar tashmë, ndërsa kësti i dytë (226.6 milionë lekë secili aksionar) do të paguhet brenda 24 muajve të ardhshëm. Kontrata e shitjes së 90% të kuotave të shoqërisë INSIG JETE tek dy sipërmarrësit e njohur u nënshkrua në 10 maj.
CEO i Eurosig, Kadri Morina – tha për “Monitor”, kur u nënshkrua kontrata e shitjes së INSIG JETE në fillim të majit, se ka qenë interesi i këtyre dy sipërmarrësve për të diversifikuar portofolin e tyre të investimeve. E ndërsa për Samir Manen, kreun e shoqërisë Balfin Group kjo është një iniciativë e re, për pronarin e shoqërisë Albsig dhe grupit Kastrati, Shefqet Kastrati sigurimet janë një terren i njohur, pasi ai është aksioner i Albsig. Sipas z. Morina futja e këtyre dy sipërmarrësve do t’i japë një frymëmarrje të re segmentit të Jetës, e cila ka një peshë të ulët në treg.
Eurosig, në maj të vitit të kaluar fitoi tenderin për blerjen e INSIG, pasi dha ofertën më të lartë prej 2.2 miliardë lekë. Në garë në atë kohë ishin edhe Kastrati dhe Albsig (joint venture) me 1.5 miliardë lekë; Recovered Earth Technologies & Duraku shpk – me 2.15 miliardë lekë dhe Balfin sh.p.k me 1.65 miliardë lekë. Sipas të dhënave të AMF-së, në fund të tremujorit të parë Insig zotëronte rreth 7.7% të tregut të Jetës nga rreth 6.5% që kishte në periudhën janar – mars 2016. Aktori kryesor në tregun e jetës është Sigal Life me rreth 63% të tregut të primeve, i ndjekur nga Sicred, me rreth 30%. Tregu i jetës është i pazhvilluar në Shqipëri dhe në vitin 2016, të ardhurat nga primet në këtë segment ishin rreth 7 milionë euro, ose rreth 6.3% e gjithë tregut të sigurimeve (rreth 93% e zë tregu i jo-jetës), sipas të dhënave nga AMF.Ndërsa në sigurimet e Jo – Jetës, INSIG në periudhën janar – mars 2017 çoi në rreth 7.2% zotërimet në treg nga rreth 5.8% që kishte një vit më parë.