Secondary Adv

Renia e euros, apartamentet fillojne te shiten ne leke

Zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në tregun vendas po nxit ndërtuesin që çmimet e apartamenteve t’i vendosin në monedhën kombëtare.


Hajredin Fratari, i cili operon në tregun e ndërtimin prej vitin 1992, tha se prej shkurtit të vitit të kaluar ka filluar të aplikojë çmimet në monedhën vendase.
Aktualisht monedha vendase është më e sigurt dhe unë e kam parë më të leverdishme që çmimet t’i vendos në lek, pasi dhe shpenzimet i kam në lekë. Këtë ia kam këshilluar edhe ndërtuesve të tjerë, – tha Fratari.


Edhe bankat e japin kredinë për shtëpi kryesisht në lekë, -ndryshe nga disa vite më parë kur kredia për shtëpi jepej në valutë- duke bërë që dhe blerësi të jetë i mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit. Zoti Fratari është nga të paktët ndërtues që ka filluar të aplikojë çmimet në lekë. Andi Hasa, menaxher shitjesh në kompaninë Nderpro shpk thotë, se çmimet i kanë të vendosura në euro.  “Për ata individë që kërkojnë që të blejnë në lek, ne bëjmë konvertimin në kursin e ditës. Nga zhvlerësimi i euros kemi pasur humbje,”- thotë ai. Ndërsa një tjetër kompani në treg tha se humbjen prej kursit të këmbimit në çmimet e shitjes e kanë mbuluar me financim më të lirë.


Apartamentet në euro më të lira
Euro ka shënuar nivelin më të ulët të këmbimit prej 9 vitesh, duke u këmbyer  me 134.12 lekë. Një vit më parë euro këmbehej 138.33 lekë, rreth 4.2 lekë më pak (shiko grafikun). Por kjo rënie e euros ka sjellë automatikisht një ulje të çmimeve të apartamenteve, për të gjithë ata që i kanë të ardhurat në lekë. Nëse një individ do të blinte një shtëpi 100 m2, me çmim 800 euro/m, një vit më parë do t’i kushtonte rreth 330 mijë lek më shumë. Në përgjithësi tregu i pasurive të paluajtshme operon duke vendosur çmimet në valutë dhe indirekt zhvlerësimi i euros ka sjellë një ulje të çmimit për shqiptarët, të cilët të ardhurat i kanë në lek. Ky fitim nga kursi ka amortizuar disi rritjen e  çmimeve të apartamenteve me rreth 10% gjatë muajve të fundit, që ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të kërkesës, por edhe rritjes së taksës së infrastrukturës.


Më të lexuarat