Secondary Adv

Legalizimet, ALUIZNI ndan 10 mije leje, ja si merret tapia brenda 15 diteve

Brenda këtij viti janë pajisur me leje legalizimi rreth 10 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Për ta shndërruar lejen e legalizimit në certifikatë pronësie, gjithë procedura ndiqet nga ALUIZNI dhe Hipoteka. Dosja e plotë dërgohet në Hipotekë nga ALUIZNI dhe brenda 15 ditëve duhet që tapia të jetë gati. Përfituesi njoftohet për mbylljen e procesit dhe mund ta tërheqë tapinë në çdo moment.


Udhëzimet
Me udhëzimin e firmosur nga ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përgjegjësinë për t’i shkuar deri në fund procesit të dhënies së lejes së legalizimit dhe hipotekës e kanë marrë pikërisht këto dy institucione. Sipas këtij udhëzimi, “aplikimi do kryhet nga ALUIZNI, por në emër të personit që ka aplikuar për leje legalizimi. Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, paraqesin aplikimin për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit-tip, pa pagesë, “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital”.


Aplikimi
Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular, dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar. “Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur ‘kërkesës për regjistrim’, kryhen nëpë-rmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve”, thuhet në udhëzim.


Më të lexuarat