Samiti i Triestes, ne fokus Zona Ekonomike dhe Traktati i Transportit
Vetëm pak ditë përpara takimit të radhës në Trieste, në kuadër të Procesit të Berlinit, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tregon dy pikat kryesore në të cilat do të fokusohet samiti i 4 i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
“Krijimi i Zonës Rajonale Ekonomike së bashku me firmosjen e Traktatit të Transportit do të jenë dy prej arritjeve kryesore të Samitit të Triestes, sikundër rishikimi i efektivitetit të një pjese të instrumenteve që kanë qenë në dispozicion në këtë proces”, deklaron Bushati. Për kreun e diplomacisë shqiptare, tashmë nuk është më shqetësimi tek projektet e paraqitura nga vendet e rajonit, por tek mungesa e financimeve të plota dhe të vendosmërisë së BE-së.
“Është ai shqetësim që me të drejtë e ngrenë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, apo kancelarja Merkel, se kur do të vendoset tulla e parë për t’u zbatuar këto projekte. Pra, nuk mund të kemi një garë në letër. Tanimë është koha që ne duhet të punojmë fort së bashku me BE-në. Duhet të gjenerojmë mundësitë dhe instrumentet financiare së bashku me BE-në dhe këtu është dhe ndërhyrja e ministrit të Jashtëm Gabriel me të ashtuquajturin “Berlin+”, në mënyrë që procesi i financimit apo mbështetjes së projekteve të rëna dakord në letër të fillojë një orë e më parë. Presim me padurim që BE të tregohet edhe më i vendosur përsa i përket zbatimit të projekteve për të cilat ne kemi rënë dakord, në mënyrë që njerëzit ta prekin ndryshimin real”, thotë Bushati.