Financat leshojne udhezimin e ri per investimet publike, 6 filtrat qe perzgjedhin projektet
Në përshtatje me ligjin e ri organik të buxhetit, i cili hyri në fuqi vitin e kaluar, Ministria e Financave ka lëshuar një udhëzim në të cilin është përcaktuar një mënyrë e re në të cilin do të propozohen dhe klasifikohen projektet e investimeve publike.
Janë gjithsej 6 etapa që duhet të kalojë një projekt që financohet nga fondet publike: 1- Identifikimi i projektit është procesi i identifikimit e shqyrtimit të ideve për projekte investimi; 2- Vlerësimi dhe përgatitja e projektit është procesi i analizës dhe vlerësimit të efektivitetit ekonomik dhe financiar, si dhe i mundësisë së realizimit të projektit; 3- Aprovimi dhe financimi i projektit është faza në të cilën projekti shqyrtohet/aprovohet për financim nëpërmjet procesit të përgatitjes të kërkesave buxhetore të Programit Buxhetor Afatmesëm të njësisë së qeverisjes së përgjithshme përkatëse; 4- Zbatimi i projektit është faza në të cilën projekti zbatohet dhe realizohen outputet e tij; 5- Monitorimi i zbatimit të projektit është faza e ciklit gjatë së cilës ndiqet ecuria e zbatimit fizik të investimit dhe informacioni i dërgohet Thesarit për zbatimin financiar të projektit (kontabilizimi i shpenzimeve); 6- Raportimi i projekteve, Vlerësimi dhe Auditimi është faza e ciklit në të cilën raportohet për zbatimin fizik dhe financiar të projektit. Ky informacion i dërguar testohet kundrejt rregullave financiare dhe realizimit të treguesve të performancës së projektit.
Ministria e Financave thotë se, propozimet për investim duhet të marrin në shqyrtim sa më shumë mënyra alternative për zgjidhjen e problemit dhe realizimin e objektivave. Për shembull, për të zgjidhur rritjen e kërkesës për energji elektrike të një vendi, ekziston një zgjedhje midis ndërtimit të një hidrocentrali apo një termocentrali.
Brenda tyre ka gjithashtu disa alternativa, si p.sh. në rastin e hidrocentralit mund të zgjedhim midis digave apo gjeneratorëve të përmasave të ndryshme, të kombinuar në mënyra të ndryshme. Ndërsa në rastin e termocentraleve mund të zgjedhim lëndën djegëse, fuqinë, vendndodhjen, etj. Në një tjetër shembull, i cili lidhet me mbipopullimin e klasave në shkollat fillore të qyteteve, mund të merren në shqyrtim alternativa e ndërtimit të një shkolle të re, ndërtimit të anekseve të një shkolle ekzistuese, marrjes me qira, organizimin e mësimit në turne të ndryshme, transportimin e nxënësve në shkolla të tjera, etj.
Analiza e alternativave është një pjesë shumë e rëndësishme e analizës së investimit. Qëllimi i zhvillimit të opsioneve alternative është që të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje efektive dhe ekonomike të përdorimit të fondeve, që përmbush rezultatet e dëshiruara dhe objektivat e ndërhyrjes me investimin.