Secondary Adv

Shqiptaret do paguajne 10 miliard leke me shume taksa ne 2015


Barra fiskale e shqiptarëve do të rritet në vitin 2015 edhe më 10 miliardë lekë ose me 100 milionë dollarë. Në projekt-paketën fiskale që tani është duke u konsultuar me grupet e interesit, mësohet se efekti neto i taksave që do të rriten vitin që vjen, pritet të shtojë të ardhurat me gati 8 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Rëndesa më e madhe do të peshojë tek karburantet si pasojë e rritjes së taksës së qarkullimit të makinave nga 17 lekë dhe në 27 lekë.


Taksat që do të rriten


Tri janë tatimet dhe taksat që pritet të rriten në janar të vitit 2015. Tatimi mbi dividentin nga 10 për qind që është aktualisht, do të shkojë në 15 për qind. Tatimi mbi interesat do të rritet nga 10 për qind, në 15 për qind. Ky tatim më së shumti prek kursimet e shqiptarëve në banka. Gjithashtu taksa e qarkullimit do të rritet me 10 lekë, por duke përfshirë edhe efektin e TVSH, totali i saj do të jetë 12 lekë më shumë se aktualisht. Por dje Parlamenti miratoi rritjen e akcizës mbi cigaret me 20 lekë për paketë.

Burimet në Ministrinë e Financave bëjnë me dije se këto variante janë ende në fazën e diskutimit, porse mund të ketë ndryshime të mëtejshme nga qeveria. Vitin që shkoi ndryshimet e taksave në fillim të janarit do të sillnin në buxhet rreth 20 miliardë lekë më shumë, por faktet tregojnë se parashikimi nuk është finalizuar. Kjo për shkak se të gjitha taksat që u rritën duke nisur nga tatim-fitimi, akciza e cigareve dhe taksave progresive nuk sollën të ardhurat e planifikuara në buxhet.


Për shkak se e ka më të lehtë që t’i vjelë, qeveria po rrit taksat ndaj konsumatorëve dhe ndaj biznesit. Sugjerimet janë për një korrektim ose rritje të taksave indirekte të tilla si akciza, TVSH-ja dhe tarifa të tjera, ndërsa nuk sugjerohen ndërhyrje në tatimet e drejtpërdrejta si tatim- fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat mbi punën. Në terma të strukturës së taksimit, përgjatë viteve ka pasur një zhvendosje të taksimit nga taksat mbi tregtinë drejt TVSH-së dhe akcizave. Aktualisht shumë pak të ardhura vijnë nga tarifat doganore që u aplikohen importeve.


Tatimet indirekte


Sipas një analize që ka bërë Ministria e Financave për ecurinë e grumbullimit të të ardhurave nga vitet 1993-2012, vihet re se taksimi indirekt (mbi konsumin) është dominant në mbledhjen e të ardhurave kundrejt taksimit të të ardhurave (individë dhe kompani) dhe pasurisë. Përgjatë 20 viteve vihet re një dominim i tatimeve që rëndojnë konsumin, siç janë: TVSH, akcizë dhe taksë doganore, kundrejt tatimeve që rëndojnë direkt të ardhurat e përftuara nga individë dhe biznese dhe pasurinë e tyre. Në ritmin e rritjes, të ardhurat nga taksimi indirekt pësojnë rritje më të theksuar se tatimet direkte, veçanërisht në periudhën 1998 deri më 2008, vit nga i cili ndihen pasojat e rënies së konsumit dhe si rrjedhojë të prodhimit të brendshëm dhe importit.


Kjo ka ndodhur për faktin se tatimet indirekte janë më të thjeshta për t’u mbledhur, veçanërisht ajo pjesë që mblidhet në momentin e importit, ndërsa tatimet direkte (sidomos mbi të ardhurat individuale) për kohë të gjatë vijojnë të jenë objekt i niveleve të larta të shmangies dhe evazionit tatimor. Përveç kësaj, politika e ndjekur ka qenë ajo e uljes së vazhdueshme të normave të taksimit direkt, me fokus të veçantë tatim- fitimin; ndërsa lidhur me taksimin indirekt, norma e TVSH-së është mbajtur e pandryshuar që në vitin 1996 (kur hyri në fuqi tatimi mbi vlerën e shtuar) dhe akciza ka pësuar rritje të vazhdueshme për mallrat kryesore si karburante dhe cigare. Në terma shumë të përgjithshme, totali i të ardhurave në buxhet ka kaluar nga 33.5 miliardë lekë në vitin 1993, në 360 miliardë lekë në vitin 2014, me një rritje prej 11 herë.


Më të lexuarat