Kompanite rekord te ardhurash nga sigurimet e detyrueshme motorike
Kompanitë siguruese arritën të ardhura rekord nga sigurimi i detyrueshëm motorik gjatë periudhës janar-shtator 2014. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën mbi 5,027 milionë lekë, ose rreth 86.18% më shumë se periudha janar-shtator 2013.
Kështu produkti “MTPL e brendshme”, në periudhën janar-shtator 2014, pati një rritje prej 97.31% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 1.37% krahasuar me periudhën janar-shtator 2013.Ndërsaprodukti “sigurim kufitar” në periudhën janar-shtator 2014 pati një rritje prej 67.69% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e numrit të kontratave prej 1.43% krahasuar me periudhën janar-shtator 2013.
Këtë trend ka pasur edhe produkti “Karton Jeshil”, i cili në periudhën janar-shtator 2014 pati një rritje me 58.20% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa numri i kontratave u ul me 7.56%. Kjo flet për një rritje të madhe të tarifave të këtij produkti.
Të ardhurat nga sigurimi Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2014 kapën vlerën 8,585 milionë lekë, ose 45.21% më shumë se në periudhën janar-shtator 2013. Gjatë periudhës janar-shtator 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 757,913 me një rritje prej 0.07% krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.83% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me 8.85% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.26% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.74% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-shtator 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 2,000 milionë lekë, ose 1.40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013.