Lojerat e fatit, bllokim ne hipoteke atyre qe nuk paguajne taksat e shtetit
Subjektet e lojërave të fatit që nuk shlyejnë detyrimet do përballen me bllokimin e llogarive, ashtu si dhe të pasurive të paluajtshme që zotërojnë.
Këshilli i Ministrave ka publikuar në Fletoren Zyrtare një vendim, i cili përcakton mënyrën si do njoftohet vetë subjekti debitor si, Zyra e Regjistrimit të Pasurive për vendosjen e masës, e cila duhet që brenda pesë ditësh të identifikojë pronat e subjektit dhe të vendosë mbi to barrën hipotekore. “Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin e formatit dhe të elementeve të njoftimit për barrën siguruese dhe/ose hipotekore për masën e sigurimit të detyrimit, ndaj Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit”, përcakton vendimi i qeverisë.
Dy njoftimet
Në vendim janë publikuar edhe dy formatet e njoftimeve që i dërgohen subjektit nga njëra anë dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive nga ana tjetër. Njoftimet sqarojnë se subjektit të sipërcituar i është dërguar dokumenti “Njoftim për pagimin e detyrimit”, por ky detyrim nuk është paguar ende. Këto detyrime tashmë janë subjekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin përkatës. “Ky dokument përfaqëson barrën siguruese dhe hipotekore në favor të shtetit shqiptar, përfaqësuar nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, mbi të gjithë pasurinë dhe të drejtat pasurore, të cilat i përkasin këtij subjekti, lidhur me shumën e detyrimeve të papaguara në afatin e kërkuar prej tij (detyrimi 0.5 %, gjoba dhe kamatëvonesë). Vendosja e kësaj barre hipotekore/siguruese synon të garantojë pagimin e tyre në rast të mospagimit vullnetar”, theksohet në njoftimin që do u drejtohet subjekteve.
5 ditë
Ndërkohë që në njoftimin që i dërgohet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme theksohet se brenda pesë ditësh pune duhet të përfundojë identifikimi i pronave të subjektit dhe vendosja e barrës mbi to. “Nëse institucioni juaj disponon të dhëna të tjera mbi pasurinë e paluajtshme/të luajtshme të debitorit, brenda 5 ditëve pune, duhet të bëni identifikimin e këtyre pasurive dhe vendosjen në hipotekë/barrë siguruese të tyre në favor të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit deri në momentin që detyrimi i papaguar prej subjektit të jetë shlyer”, thekson njoftimi./Balkanweb