
Borxhi i energjise 1.1 miliarde USD, gjysma nga institucionet
Borxhi i akumuluar në vite nga mosarkëtimet në Shpërndarje, në dhjetor 2013 ishte në total mbi 1.1 miliardë dollarë dhe vetëm principali i tij shkonte 600 milionë dollarë.
“Konstatuam një listë të madhe të institucioneve publike, të cilat kishin akumuluar vlera shumë të mëdha të borxhit ndaj Kompanisë së Shpërndarjes”, ky është bilanci katastrofik i energjetikës, që paraqiti dje ministri Damian Gjiknuri në takimin ministror “Për mbrojtjen e energjisë”.
Ai tha se borxhi që kishte Kompania e Shpërndarjes ndaj KESH-it, në fund të vitit 2013 arrinte në 540 milionë dollarë. “Shpërndarja nuk gjeneronte para të mjaftueshme, ndërkohë që KESH-i zhytej gjithmonë e më shumë në falimentim”, deklaroi Gjiknuri. “Operatorët ishin me ‘cash flow’ negativ të vazhdueshëm. Niveli i overdraftit të KESH-it arrinte në 31 miliardë lekë, ndërsa për dy operatorët e tjerë mbi 15 miliardë lekë. Të gjitha këto, të mbuluara me garanci nga buxheti i shtetit”, parashtroi Gjiknuri.
Ndërkaq, ministri tha se humbja e sistemit e llogaritur në kushte ideale është sërish e madhe. “Edhe sikur për momentin, të mendonim se me sustën magjike do t’i eliminonim të gjitha humbjet duke i çuar në zero apo arkëtimet do t’i bënim 100%, për shkak të keqmenaxhimit dhe mosplanifikimit të duhur energjetik, por edhe kostove të shtuara nga ky keqmenaxhim, sektori në vetvete gjeneron gati 8 miliardë lekë humbje çdo vit, pra deficit financiar”, deklaroi ministri Gjiknuri.
Shkaqet
Pse ndodhi kjo? Të parin shkak Gjiknuri ka renditur vendimet e vitit 2011-2012, ku, sipas tij, janë favorizuar kompanitë e asaj kohe. “Faturën ia dhanë KESH-it, duke ngrirë çmimet e furnizuesit publik me shumicë, duke e mbajtur në nivelin 2.2 lekë me të vetmin qëllim, për të axhustuar të gjitha problemet që kishin me shoqërinë e shpërndarjes. Pikërisht kjo bëri që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të zhytet e gjitha në falimentim, thjesht nga vendimmarrje të caktuara politike”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, vazhdoi Gjiknuri, po të shikojmë detyrimet e HEC-eve private, ato nga viti në vit rriteshin dhe nuk shlyheshin. Kurse, privatizimi i Kompanisë së Shpërndarjes ishte një dështim i plotë, për shkak edhe të një marrëdhënieje jo të qartë mes qeverisë dhe vetë investitorit privat. “Kjo gjë çoi në një degradim të situatës nga niveli 34% i humbjeve në vitin 2008, në nivelin e 45% të humbjeve mesatare në vitin 2013. Madje, kur erdhëm në pushtet, konstatuam se niveli i humbjeve kishte vajtur mbi 50%”, paraqiti gjendjen ministri.
Rimëkëmbja
Ky deficit, sipas Gjiknurit, është një sfidë e vërtetë për t’u adresuar, prandaj tamam është momenti edhe për ndërhyrje të thella sistemike. “Ne e kemi planin e qartë. Së bashku me investimet dhe masat për të cilat po flasim sot këtu në kuadër të luftës ndaj abuzimit me energjinë elektrike, do të bëjmë të mundur që çdo vit, të ulim nivelin e humbjeve me të paktën 5%. Kjo do të thotë që në një mënyrë progresive, në vitet në vijim, ne duhet të shkojmë te termat e asaj që dëshirojmë, në fund të vitit 2018 sektori të fillojë të kthehet në fitimprurës”, premtoi ministri. Ai tha se do të merren masat e nevojshme për ristrukturimin e çmimit të blerjes së energjisë prej HEC-eve koncesionare, duke e lehtësuar barrën aktuale që përballon KESH-i. Këtyre investitorëve, sipas Gjiknurit, do t’u sigurohen të gjitha të drejtat që kanë nga kontrata dhe siguri financiare, njëkohësisht investimi i tyre do të merret parasysh, por ata nuk do të jenë më barrë mbi KESH-in. “Do të ndryshojmë modelin e tregut, duke bërë të mundur që hidrocentralet private të shesin energjinë direkt me sistemin e shpërndarjes dhe të jenë ato të parat në radhë, sa herë që ka nevojë për import energjie”, paralajmëroi Gjiknuri.
Duke folur për tregun e ri energjetik, Gjiknuri tha se, nga viti tjetër, të gjithë ata operatorë ekonomikë që janë të lidhur në tension të mesëm, dhe në vitet në vijim edhe operatorë të tjerë ekonomikë, kryesisht biznese, do të fillojnë të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Kjo do të krijojë mundësi edhe për investitorët privatë që prodhojnë energji elektrike./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








