Secondary Adv

Rindertimi i qyteteve, Rama inspekton punimet ne Kruje dhe Fushe Kruje


Kryeministri Rama ka vizituar Fushë Krujën dhe Krujën për të inspektuar punimet e nisura në këto qytete që synojnë rivitalizimin urban të tyre. Kreu i Qeverisë garantoi autoritetin vendor se Kruja do të ketë një status të veçantë përsa i përket financimeve të projekteve nga ana e ekzekutivit.

 


Projektet ne Fushe Kruje


Inspektimet, Kryeministri i nisi nga Fusha Kruja, ku me intensitet po punohet për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit. Për vetë vendndodhjen e saj në kryqëzimin e superstradës Tiranë-Shkodër me superstradën Vorë-Fushë Krujë, ky aks ka një rëndësi jo vetëm për t’i dhënë Fushë-Krujës një hyrje urbane moderne deri në qendër të saj, por edhe si aks i rëndësishëm i rrjetit të rrugëve kombëtare. Rruga është projektuar me parametra të infrastrukturës moderne, me gjerësi deri në 13 m, me trafikndarëse dhe trotuare në të dyja anët e saj, çka do t’i japin frymëmarrje lëvizjes në këtë aks me fluks të lartë qarkullimi. Projekti parashikon dhe mbjelljen e drurëve dekorativë në të dy krahët e saj.

 


Në Fushë-Krujë kanë nisur punimet edhe për gjimnazin, që, sipas Kryetarit të Bashkisë, do të jetë me standarde bashkëkohore, por edhe me një palestër që sot i mungon të rinjve. Duke shfrytëzuar takimin me qytetarë të Fushë Krujës, Kryeministri apeloi edhe një herë për domosdoshmërinë e pagimit të energjisë elektrike të konsumuar.


Projekte ne Kruje


Në qytetin e Krujës ka nisur rikonstruksioni i rrugës që lidh qendrën e qytetit me 3 lagjet e vjetra të këtij qyteti drejt Kalasë, Kasme, Berbere dhe Kala. Rruga shërben për të lidhur gjithashtu edhe 2 fshatra që ndodhen afër Krujës. Projekti i Kalasë, parashikon zgjerimin e saj në krahun e majtë, ku rruga duhet të pajiset me sistemin e ndriçimit. Projekti ofron edhe mundësinë e një qarkullimi më të lirshëm për automjetet.

 


Po ashtu, Kryeministri Rama  ka parë nga afër edhe punimet që po kryhen për rivitalizimin e pazarit të vjetër të Krujës. Një projekt që po kryhet me Fondin Shqiptaro-Amerikan Për Zhvillim. Kryeministri Rama theksoi se për atë çfarë Kruja përfaqëson për historinë, por dhe për turizmin, është i nevojshëm edhe një program afatgjatë zhvillimi.


Ndërsa garantoi vazhdimin e mbështetjes, duke bashkëbiseduar me nënkryetarin e bashkisë së qytetit Kryeministri u shpreh: “Do vazhdojmë një zinxhir projektesh këtu. Kuptohet kjo do varet shumë edhe nga ju, sepse jeni ju që duhet të na propozoni. Por duam që, tani që e vumë në mbrojtje, Krujës t’i japim realisht një status të veçantë jo me fjalë, por një status të veçantë edhe me vëmendje, sepse është një nga pikat që është dëmtuar më shumë dhe që ka nevojë për më shumë kurim, sepse është edhe një nga pikat që sjell më shumë të ardhura dhe është një pikë ku s’duhet të ketë papunësi
Normalisht duhet të ndërtojmë një projekt që të jetë disavjeçar, një program disavjeçar zhvillimi dhe ju duhet të na jepni orientimet kryesore, në mënyrë që ne pastaj të vazhdojmë me pjesën tonë. Por mbështetjen do e keni absolute, sepse e kemi prioritet Krujën.


Më të lexuarat