Tatimet: Mijera subjekte private na detyrohen 1 miliard euro taksa
Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë, ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.
Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, borxhi ndaj këtij institucioni arriti në fund të vitit 2016 në më shumë se 147 miliardë lekë (më shumë se 1 miliard euro). Ky detyrim përbëhet nga borxhet e dhjetëra mijëra bizneseve dhe individëve në të gjithë vendin. Një pjesë e këtij borxhi (ai para vitit 2010) po fshihet tashmë nga Tatimet, në kuadër të faljes fiskale, e cila, sipas ligjit përkatës, do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare, stoku i borxhit deri në fund të 2016-ës përbëhej kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura 2 deri në 5 vitet e fundit, me një peshë prej 34% të totalit të tij. Mundësi potencialisht më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit, kanë referuar më herët tatimet. Nga të dhënat rezulton se edhe në vitin 2016 është shënuar rekord përsa i përket krijimit të borxhit tatimor, që në total, për periudhën në fjalë, arrin në 45 miliardë lekë (330 milionë euro), apo gati 31% e stokut të borxhit tatimor të krijuar në vite (4.2% borxhi deri në 3 muaj; 3.8% deri në 6 muaj dhe 22.65 borxhi i moshës nga 6 në 12 muaj).
Në fund të vitit 2016, referuar ndarjes sipas llojit të tatimit, vërehen detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në masën 35 % e stokut të borxhit. Në ndarjen e borxhit sipas llojit të tatimit, TVSH-ja zë peshën më të madhe të totalit të stokut të borxhit, ndjekur nga zëri Të Tjera me 29%, dhe më pas nga Tatim Fitimi, Sigurime Shoqërore Shëndetësore dhe TAP.
Dy ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përditësoi listën e bizneseve debitorë ndaj saj, me më se 18 mijë subjekte. Në të figurojnë edhe 74 biznese VIP (tatimpagues të mëdhenj), të cilat tashmë janë objekt i bllokimit të llogarive bankare dhe të sekuestrimit me forcë të detyrimeve.