Gati plani i perbashket ballkanik per investimet e huaja, ja 6 pikat kryesore
Gjashtë vendet e Ballkanit në kuadër të planit të përbashkët për integrimin rajonal kanë përfunduar draftin për bashkëpunim në fushën e investimeve.
Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, drafti për investimet mbulon gjashtë fusha.
1-Kuadrin ligjor specifik për IHD; 2- Pranimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për investimet; 3- Lehtësimi i klimës së biznesit; 4- Harmonizimi i regjimit tatimor për investimet; 5- Harmonizimi i politikave dhe aftësive në forcën e punës; 6-Përpjekje të përbashkëta në drejtim të promovimit të mundësive për investime; Ky dokument synon të rrisë konkurrencën e përgjithshme të rajonit, si dhe kapacitetin e saj për të tërhequr IHD-të, veçanërisht në industritë e orientuara nga eksporti dhe zinxhirët e vlerës. Studimi ka përfunduar procesin e konsultimeve kombëtare dhe do të shqyrtohet në Grupin e Përbashkët të Punës për investime të SEEIC-CEFTA. Drafti përfundimtar i studimit është finalizuar tashmë dhe në të janë integruar rekomandimet e BE për reformat në sektorin e investimeve. Këtë verë janë zhvilluar disa takime njëri prej tyre ishte takimi i gushtit në Durrës ku krerët e shteteve te Rajonit u informuan me axhendën e reformave të investimeve dhe raportit të IHD-ve.
Ndërkohë donatorët që kanë mbështetur këtë projekt po vijojnë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e Rajonit në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja. Fokusi i strategjisë së përbashkët të investimeve do të jetë përmirësimi i klimës së biznesit në të gjashtë vendet e rajonit të përfshira në këtë nismë. Qëllimi është që nga përmirësimi në mikro në ambientin e bizneseve të arrihet në përmirësime makro të politikave në vendet e Rajonit.