Secondary Adv

Autostrada Tirane-Elbasan, ulet kostoja me 107 milione dollare


Kostoja e rrugës së re Tiranë-Elbasan është korrigjuar në ulje për 106.9 milionë dollarë më pak. Korrigjimi duket se ka shkaktuar vonesën në përfundimin e projektit. Në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur projektligji për ratifikimin e një ndryshimi në marrëveshjen e financimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB).


Pjesa më e madhe e fondeve për financimin e këtij projekti është siguruar nga Banka Islamike për Zhvillim, nëpërmjet marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, të lidhura më 7.4.2011, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për akordimin e kredisë me vlerën prej 222.7 milionë dollarë.

 

 


Tabela e planit financiar parashikonte një kosto totale të projektit me vlerën 407 milionë dollarë, por, bazuar në ecurinë e projektit, me përcaktimin e vlerave të komponentëve pas procesit të tenderimit të tyre, kostoja totale e projektit arrin vlerën 300.1 milionë dollarë. Kjo vlerë është 106.9 milionë dollarë më pak se vlera e parashikuar e kostos të projektit.


Konkretisht, komponentët për “Punime Civile” ulen me një vlerë 101.740.087 dollarë, ku për seksionin e parë ka ulje për 28 milionë dollarë, në seksionin 2, 65 milionë dollarë dhe në seksionin 3, 8.7 milionë dollarë.


Në këtë projekt, qeveria shqiptare do të kontribuojë vetëm me financimin e shpronësimeve, me vlerë rreth 4 milionë dollarë dhe pagesën për studimin e fizibilitetit dhe projektin për 2.9 milionë dollar të tjera. Pjesa tjetër do të financohet nga kredia e IDB-së, një kredi nga fondi i Abu Dhabit për zhvillim, në vlerën 100 milionë dollar OPEC e të tjerë në vlerën 84.3 milionë dollarë.


Ndërkohë, shërbimi i konsulencës është rishikuar në rritje për shumën vlerën 407.485 dollarë, kryesisht për seksionin 2 të projektit (supervizioni i punimeve në tunel), që rezulton me një vlerë më të lartë se sa parashikohej.


Në këto kushte, u pa e nevojshme që të ndryshohej marrëveshja Istisna’a për financimin nga banka islamike. Qëllimi i projektit të rrugës Tiranë-Elbasan është të ndihmojë zhvillimin ekonomik-shoqëror në Shqipërinë Qendrore, Jugore, Juglindore dhe më gjerë.


Më të lexuarat