Rruga e Arberit, nis puna per ndertimin e tunelit te Qafe-Buallit
Nis puna për ndërtimin e tunelit të parë të Rrugës së Arbrit, Tiranë-Dibër. Firma zbatuese e projektit ka përqendruar forca dhe mjete në Qafë-Buall, në pjesën perëndimore, për të ndërtuar tunelin 960 metra të gjatë.
Rruga e Arbërit që lidh Tiranën me Dibrën mesa duket nuk do të jetë vetëm një premtim në letër. Këtë fakt e vërteton nisja e punimeve për hapjen e tunelit që lidh Qafë-Buallin me rampën e pasurimit të kromit në qytetin e Bulqizës, pjesë e “Rrugës së Arbërit”. Ndërsa paralel vijon puna edhe për hapjen e tunelit që lidh Qafe-Buallin me urën e vashës në Klos.
Makineri të rënda po hapin tunelin mbi fshatin Plan i Bardhë për ta përfunduar atë te Rampa e Fabrikës së Pasurimit të Kromit, Bulqizë. Veç hapjes së tij, makineritë po kryejnë dhe betonizimin e tunelit më të ri në vend. Po ashtu, një firmë ndërtimi po punon nga Qafë-Bualli në drejtim të Klosit (Ura e Vashës) për përfundimin e këtij segmenti rrugor, pjesë e Rrugës së Arbrit.
Pjesa më e vështirë e kësaj rruge konsiderohet tuneli i Xibër-Murrizës, afro 4 kilometra i gjatë. Ai do të bashkojë territorin e Matit me atë të Tiranës, por për shkak të terrenit shkëmbor mund t’u besohet ndërtuesve të huaj.
Prefekti i Dibrës, Melaim Damzi, shpreh bindjen se kjo rrugë pritet t’i japë një hov të madh zhvillimit të kësaj zone. Në njëjtin mendim ndajnë edhe banorët e Bulqizës, për të cilët kjo rrugë pritet të ketë impakt pozitiv në zhvillimin e zonës tyre. Pjesa më e vështirë e kësaj rruge konsiderohet tuneli Xibërr-Murriz afro 4 kilometra i gjatë që lidh Matin me Tiranën.
Kryeministri Rama premtoi javë më parë se ai ka rënë dakord me investitorë kinezë për ndërtimin e këtij tuneli të rëndësishëm. Banorë të qarkut Dibër, kryesisht nga Peshkopia dhe Bulqiza, vazhdojnë të firmosin një peticion drejtuar të gjitha autoriteteve shqiptare për përfundimin e Rrugës së Arbrit, me gjatësi 87 km.