Investimet publike edhe gjatë vitit të ardhshëm do të zënë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Sipas variantit paraprak që Ministria e Financave, ka dërguar në qeveri për miratim, zëri i shpenzimeve kapitale është parashikuar në vlerën e 65.8 miliardë lekë, ose 4.4 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Nga ky fond, me financim të brendshëm janë parashikuar 27. 5 miliardë lekë, ndërsa investimet me finncim të huaj janë në vlerën 37.3 miliardë lekë. Sipas variantit paraprak të Ministrisë së Financave, fushat prioritare ku do të fokusohen dhe investimet janë arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura, sektorë këta që kanë dhe ndjeshmëri më të madhe sociale.
Por duke iu referuar të dhënave të treguesve fiskalë për perudhën 9 mujore, investimet publike janë realizuar në vlerësn e 66 miliardë lekëve, ose 45 % e planit vjetor. Kjo bëri që qeveria të rishikonte buxhetin e këtij viti, duke rialokuar në këtë mënyrë fondet e pa realizuara, tek ato projekte që kishin avancuar më tepër në realizim. Sipas variantit paraprak, të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm do të zënë rreth 27.7% të PBB-së, apo 411 miliardë lekë.
Ndërsa shpenzimet do të arrijnë në 31.5% të PBB-së, apo 470 miliardë lekë. Pas miratimit në Qeveri, projekt-buxheti do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare në Kuvend, ku priten debate mes forcave kryesore politike.