
Investime ne Divjake, Rama inspekton punimet ne Parkun Kombetar
Rama ka inspektuar punimet në Parkun Kombëtar të Divjakës në aksionin e cilësuar si “Rilindja e Qyteteve”. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se tashmë pas rehabilitimit janë 50 kilometra rrugë për të gjithë vizitorët që duan të shkojnë në Parkun Kombëtar të Divjakës. Gjithashtu, Kryeministri ndalet te projektet e tjera transformuese që janë ndërmarrë në Divjakë.
Kryeministri Edi Rama, deklaroi ditën e shtune nga Divjaka se do t’i japë zhvillimin e duhur kësaj zone. Gjatë inspektimeve në Divjakë, kreu i qeverisë pohoi se kjo zonë do të përjetojë një transformim rrënjësor. “Sot në Divjakë për projektet transformuese të një zone të harruar me vite që ka nisur të rilindë përmes vënies në funksionim të plotë të kanaleve për vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore që rihapen pas 20 vjetësh blllokuar; ngritjen e Poliklinikës së Re e të munguar prej 20 vitesh pavarësisht nevojave të mëdha, nje investim ne vlerën e 52.4 milion leke ; ndërtimin e unazës lindore, rindërtimin e gjimnazit si qendër komunitare së bashku me terrenet sportive dhe ndërtimin e pedonales që lidh qytetin me parkun; si edhe mbylljen e punimeve të rehabilitimit të Parkut Kombëtar ku ka rifilluar përtëritja e specieve dhe e pyllit të masakruar vite me radhë”, shkruan Kryeministri në Facebook.
Kryeministri vlerësoi realizimin e disa prej projekteve dhe siguroi se shumë shpejt, në Divjakë, projekte të tjera do vihen në proces. “Kantieret e Rilindjes së qyteteve do të funksionojnë shumë mirë edhe për Divjakën, ku jo vetëm disa projekte janë vënë në proces zbatimi, por disa projekte të tjera do të vihen në proces shumë shpejt, në mënyrë që Bashkia e re e Divjakës të jetë një nga Bashkitë model për transformimin në shumë plane, në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri.
Divjakë, Rama inspektim punimeve të pedonales së qytetit
Në kuadër të projektit kombëtar “Rilindje Qyteteve” kanë nisur punimet edhe pedonalen e qytetit të Divjakës. Por, ndërkohë me fonde të bashkisë është ndërtuar edhe një lulishte në qendër të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, e njohu Kryeministrin në mënyrë të detajuar me projektin, i cili ndër të tjera parashikon edhe ndërtimin e një rruge pedonale që parashikohet të lidhet me qendrën, ndërtimin e korsisë së biçikletave pranë kësaj pedonaleje dhe mbjelljen e palmave përgjatë gjithë kësaj rruge. Paralelisht po ndërhyhet edhe në infrastrukturën nëntokësore, me qëllim rehabilitimin esistemimit të kanalizimeve.
Divjakë, Rama:50 km rrugë për të çuar vizitorë në Parkun Kombëtar
Falë një projekti të Qeverisë shqiptare është rehabilituar “Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta”. Kryeministri Edi Rama ishte sot dhe pa nga afër projektin e realizuar. Ndërhyrjet, të bazuara në këtë projekt, kanë mundësuar rehabilitimin e rrugëve natyrale të Parkut Kombëtar të Divjakës, prej afro 50 kilometër, si dhe krijimin e infrastrukturës së duhur për vizitorët. Mbi 150 tabela informative janë vendosur në të gjithë parkun, si dhe është ngritur një Qendër Informacioni për vizitorët. Po ashtu, janë ndërtuar 4 ura druri që lidhin pjesët qendrore të parkut, për t’u bërë të arritshme nga vizitorët.
Në një status në rrjetin social Twitter shefi i qeverisë ka postuar një foto të Parkut Kombëtar, ndërsa thotë se do të ndërtohet një rrugë rreth 50 km për të gjithë vizitorët që duan të shikojnë Parkun Kombëtar të Divjakës. “Pas rehabilitimit të rrugëve natyrale të Parkut Kombëtar të Divjakës janë 50 km për këmbësoret që presin vizitore”, shkruan Rama.
Inspektimet ne unazen lindore te Divjakes
Kryeministri Rama ka vijuar më tej inspektimet e punimeve në unazën lindore të Divjakës, e cila do të shërbejë për të drejtuar gjithë tregtarët dhe banorët e zonës drejt tregut të shumicës, pa kaluar nga qendra e qytetit. Me këtë investim mbyllet tërësisht unaza lindore e Divjakës. Kjo, sipas deputetit Erjon Braçe, bën të mundur që të gjithë fshatrat përreth zonës të dalin drejtpërdrejtë në treg dhe kështu nuk ngarkohet më qarkullimi në qendër të qytetit.
Punimet në gjimnazin e Divjakës
Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një rëndësi të veçantë punimeve në gjimnazin e qytetit. Në kuadër të programit “Sporti për të gjithë”, Kryeministri siguroi mbështetjen për kthimin e hapësirave sportive të këtij gjimnazi, në funksion jo vetëm të nxënësve gjatë orarit të mësimit, por edhe për komunitetin gjatë mbrëmjes. “Bëjeni një projekt kompleks, bashkë me palestrën dhe me 3 fusha, në mënyrë që të bëhet një kompleks komunitar. Se këtu është i gjithë qëllimi, të mos jetë vetëm për mësimin e nxënësve gjatë orareve, por të jetë edhe për komunitetin. Kështu që të bëhet palestra dhe 3 fusha. Ne kemi gjithë financimin e projektit “Sporti për të gjithë”. Në kuadrin e këtij programi mund të financojmë. Të jenë funksionale gjatë natës, me drita dhe me shkallë, që të mund të vijnë dhe njerëzit”, u shpreh Kryeministri.
Më të lexuarat








