Ne dhjetor hapen procedurat per koncesionin e Rruges se Kombit
Burime nga Ministria e Transportit, konfirmojnë se plani i hershëm që ka pasur ky institucion për ti dhënë të drejtën një kompanie private për ta mirëmbajtur këtë aks do të vihet në jetë në fund të këtij viti dhe pritet që vitin e ardhshëm të gjithë automjetet të jenë të detyruar të paguajnë një tarifë të caktuar për çdo kalim në këtë aks rrugor. Tarifa është menduar të jetë afërsisht 5 euro, por gjithsesi më të favorizuar do të jenë kompanitë që kanë ofertën më të ulët. Vendosja e kësaj takse të rrugës, i bashkëngjitet edhe rritjes së çmimit të enegjisë elektrike dhe rritjes së taksës së qarkullimit gjatë vitit të ardhshëm, çka do të thotë më shumë kosto për qytetarët.
Dhënia me koncesion që do të nisë me aksin Milot-Morinë është parë si mënyra e vetme për ta mirëmbajtur këtë rrugë për shkak të mungesë së fondeve në buxhet , jo vetëm për mirëmbajtje por edhe për investime të reja.
Për ti hapur rrugë këtij procesi, në fillim të muajt Tetor qeveria miratoi një vendim për lehtësimin e procedurave të dhënies me koncension për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave publike.
Lehtësimi i procedurave dhe ulja e burokracive për kompanitë që duan të marrin pjesë në tender, synon të thithë kompani jo vetëm vendase por edhe të huaja që të investojnë në Shqipëri. Ligji për prokurimet publike përcakton qartë afatet që duhet të zbatojnë kompanië për dorëzimin e ofertave pas shpalljes së tenderit që variojnë deri në 52 ditë.Autoriteti kontraktor përjashton nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit çdo kandidat ose ofertues, kur ka të dhëna se janë ose kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për ndonjë nga veprat e mëposhtme: pjesëmarrje në organizatë kriminale; korrupsion; mashtrim; pastrim parash.